Apeli e liron nga akuza ministrin Valdrin Lluka

Apeli e liron përfundimisht nga akuza për konflikt interesi ministrin Valdrin Lluka

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj ministrit aktual të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili akuzohej për konflikt të interesit.

Ndërsa, gjykata e shkallës së dytë e ka aprovuar si të bazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzurës tjetër në këtë rast, Eljana Naka, avokates Teuta Zhinipotoku, duke e anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 23 korrik të këtij viti, e kishte shpallur të pafajshëm ish-zyrtarin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), aktualisht ministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për veprën penale “konflikti i interesit”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, thuhej se nuk është provuar se Lluka ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.

Së bashku me Llukën, për konflikt të interesit, akuzohej edhe ish-sekretarja e përgjithshme e MTI-së, Eljana Naka, e cila nga shkalla e parë ishte shpallur fajtore dhe ishte dënuar me shtatë mijë euro gjobë. Sipas aktgjykimit, nëse gjoba nuk paguhet brenda 15 ditësh, ky dënim do të shndërrohet në dënim me burg.

Kundër këtij aktgjykimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ishte ankuar në Apel, duke i propozuar së njëjtës që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe lëndën ta kthej në rigjykim.

Në ankesën e saj, prokuroria pretendonte se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale pasi që gjykata në arsyetimin e saj nuk kishte paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte i konsideron të vërtetuara ose të pavërtetuara.

“Po ashtu, gjykata me rastin e marrjes në pyetje nuk i është përmbajtur rregullave të marrjes në pyetje të dëshmitarëve në mënyrë të drejtpërdrejte. Si pasojë e këtyre shkeljeve është shkelur ligji penal në dëm të të akuzuarit”, thuhej në ankesën e prokurorisë.

Përgjigje në ankesën e prokurorisë kishte ushtruar mbrojtësi i Valdrin Llukës, avokati Artan Qerkini, i cili Apelit i kishte propozuar që të refuzojë ankesën e prokurorisë dhe të vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë si të bazuar.

Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë kishte ushtruar edhe mbrojtësja e të akuzuarës Naka, avokatja Teuta Zhinipotoku, e cila në ankesën e saj pretendonte se gjykata nuk kishte dhënë faktet vendimtare lidhur me shpalljen fajtore të Nakës. Ankesa pretendon se nuk është identifikuar asnjë palë e dëmtuar në këtë rast dhe se mungon edhe interesi financiar i të akuzuarës që ajo vet apo ndonjë anëtar i familjes së saj.

Pretendimet ankimore të prokurorisë, Apeli i ka vlerësuar si të pabazuara, kurse, ankesën e mbrojtjes së Nakës, gjykata e shkallës së dytë e ka aprovuar si të bazuar.  Sa i përket shkeljeve të pretenduara në rastin e të akuzuarit Lluka, Apeli ka vlerësuar se shkalla e parë ka dhënë arsye të qarta dhe të plota në aktgjykimin e saj, kur ka vlerësuar se Lluka nuk është kryes i veprës penale.“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të plotë se të akuzuarit Valdrin Lluka i ka pushuar mandati në OJQ-në “Jakov Inovation Cener”, me datën 14.04.2014, kur është zëvëndësuar me Faton Axhemin, ndërsa në anën tjetër nuk kemi përfitim të kundërligjshëm pasuror për veti apo tjetrin…”, thuhet në aktgjykimin e Apelit, të marr më 10 tetor 2018, e të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, sa i përket të akuzurës Naka, Apeli ka gjetur se shkalla e parë nuk ka dhënë fakte vendimtare lidhur me shpalljen fajtore të saj për veprën penale të konfliktit të interesit.

Sipas vlerësmit të Gjykatës së Apelit, gjykata nuk ka paraqitur asnjë fakt vendimtar lidhur me atë se e akuzuara Eljana Naka të ketë pasur ndonjë privilegj apo dobi të çfarëdo lloji për veti apo për tjetrin, dhe se rezulton nga shkresat e lëndës se ajo nuk ka marrë pjesë në vendimarrje si anëtare e bordit dhe marrëveshja e mirëkuptimit 01317 të datës 27.05.2014, është nënshkruar nga Bernard Nikaj, ministër i MTI-së ndërsa nga ana e OJQ-së, “Jakov Inovation Center” është nënshkruar nga Faton Axhami”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Lidhur me këtë, Apeli vlerëson se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë asnjë fakt vendimtar që e akuzura si person zyrtar në MTI, të ketë marrë pjesë në vendimarrje. Në fund të aktgjykimit të saj, Apeli thekson se se shkalla e parë nuk ka dhënë asnjë fakt vendimtar se e akuzuara Naka ka pasur ndonjë privilegj apo dobi të çfarëdo lloji për veti apo tjetrin dhe se a ka marr pjesë në vendimarrjen në fjalë, andaj, sipas Apelit të gjitha këto kanë mbetur të pasqaruara.“Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet të evitoj shkeljet e cekura më lartë dhe ti nxjerrë të gjitha provat, të vërtetohet se kush ka përfituar dobi pasurore të kundërligjshme dhe a kemi dëm të shkaktuar, vendimmarrje apo konflikt të interesit për veti apo tjetrin..”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Valdrin Lluka akuzohej se në cilësinë e zyrtarit të lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), njëkohësisht edhe Kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve, më 23 mars 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për Organizatën Jo-Qeveritare (OJQ) “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ kishte qenë themelues.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, sekretarja e përgjithshme e MTI-së, Eliana Naka, me 2 qershor 2014, kishte marrë vendim që mjetet prej 20 mijë eurove, t’i ndahen si mbështetje financiare OJQ-së “Jakov Inovation Center”, ku kishte qenë drejtoreshë e Bordit./ Betimi për drejtësi

Back to top button