Apeli liron drejtorin A.M. pasi konstaton se u dënua gabimisht

A.M. dyshohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata e Apelit ka liruar nga të gjitha akuzat, drejtorin A.M i cili dyshohej se në cilësinë e drejtuesit të Departamentit Ligjor dhe Licencim të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH) kishte bërë keqpërdorimim të detyrës zyrtare.

Gjykata e Apelit konstaton se “gjykata e shkallës së parë kishte shpallur fajtor gabimisht A.M”.

A.M më 2014, u dënua pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të autoritetit pasi ia dha e pastaj ia tërhoqi licencën për transport hekurudhor të mallrave ndërmarrjes “Railtrans” L.L.C. me seli në Prishtinë.

Gjykata e shkallës së parë në verdiktin e saj shkruan se si pasojë e tërheqjes së licencës, A.M. i sjell përfitim operatorit të vetëm publik dhe “Trainkos”, dhe njëkohësisht i shkakton afro 1.2 milion euro dëm material firmës “Railtrans”.

Tutje Gjykata e Apelit bën të ditur se pasi shqyrtoi pretendimet ankimore dhe i vlerësoi shkresat e lëndës, gjeti se gjykata e shkallës së parë, e ka bërë “vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe me këtë gabimisht e ka shpallur fajtor të akuzuarin për veprën penale për të cilën është akuzuar, për shkak se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk e dëshmojnë se i akuzuari ka kryer veprën për të cilën është akuzuar”.

Gjykata e Apelit konstaton se  i akuzuari ka vepruar në përputhje me autorizimet e tij sipas Ligjit për Hekurudhat dhe akteve tjera nënligjore të ARH-së, nuk i ka tejkaluar autorizimet apo detyrat zyrtare dhe nuk ka pasur  prova që e kanë dëshmuar  se i njëjti kishte për qëllim dëmtimin e Kompanisë Railtrans, apo përfitimin e Kompanisë Publike Trainkos.”, thuhet në njoftimin  e Apelit. /21Media

Back to top button