Aplikime të shumta për subvencione, Ministria e Bujqësisë ka dhënë detaje për RTV21

Që nga hapja e programit për subvencione nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për portalin rtv21.tv kanë thënë se interesimi i fermerëve për të aplikuar është i madh, ndërsa kultura që ka më shumë aplikime është gruri. Deri dje kanë aplikuar hiç më pak se 6 mijë e 230 fermerë, nga ta 3 mijë e 57 aplikues janë të kulturës së grurit.
“Deri në momentin që po flasim, pasi afati për aplikim vazhdon të jetë i hapur për 30 ditë kalendarike, për mbështetje në kuadër të këtij programi kanë aplikuar gjithsej 6230 fermerë. Numri më i madh i aplikuesve është tek kultura e grurit me 3057 aplikues deri më tani, duke vazhduar me 2815 aplikues për kulturën e misrit, 1005 aplikues të cilët mbarështojnë lopë qumështore, 392 aplikues për nënsektorin e bletarisë, pemëtari janë 1089 aplikues, vreshtari 530 aplikues, etj”, ka thënë për portalin rtv21.tv zyrtarja e Lartë për Komunikim me Publikun nga Ministria e Bujqësisë, Albulena Maloku-Ahmeti.
Maloku-Ahmeti duke theksuar se interesimi për të aplikuar në kuadër të Programit për Pagesa Direkte/Subvencione 2022 është i madh në të gjithë sektorët ka thënë se i gjithë procesi është duke u zhvilluar normalisht e pa asnjë problem.
Tutje Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për portalin rtv21.tv ka njoftuar se kriteret për çdo nënsektor të bujqësisë dhe blegtorisë janë të veçanta dhe të gjitha informatat e hollësishme këto kritere dhe për dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, fermerët i gjejnë në web faqen e MBPZhR-së, https://ww.mbpzhr-ks.net dhe në web faqen e AZhB-s, www.azhb-ks.net, si dhe në Drejtoritë Komunale për Bujqësi.
Periudha e aplikimit do të zgjasë 30 ditë kalendarike që nga dita e shpalljes publike, pra ka filluar nga data 26.04.2022 dhe përfundon më datë 25.05.2022, në ora 16:00./21Media

Back to top button