Aplikimi në KE, Abbott: Kosovës i uroj suksese

Dëshira e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës është sinjal i mirëpritur i përkushtimit të saj ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj.
Kështu tha ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovës, Nicholas Abbott, përmes një shkrimi në rrjetet sociale.
Gjithashtu, sipas tij, është një shenjë e gatishmërisë dhe vendosmërisë së saj për të mbështetur vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin ndërkombëtar.
“Kosovës i uroj suksese”, shkroi ambasadori.
Kosova dje ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare./21Media

Back to top button