Aprovohet kërkesa e Prokurorisë, gazetarit Syla i caktohet masa e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar

(Lajm i përditësuar)


Aprovohet kërkesa e Prokurorisë, gazetarit Syla i caktohet masa e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar gazetarit Valon Syla masën e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar.

Syla dyshohet për “Dhunë në familje” dhe “Lëndim të lehtë trupor”.

Caktimin e masës së sigurisë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kjo masë u caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore.


Mbahet seanca dëgjimore ndaj Valon Sylës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj gazetarit Valon Syla.

Syla dyshohet për “Dhunë në familje” dhe “Lëndim të lehtë trupor”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi konfirmoi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që gazetarit Valon Syla t’i caktohet masa e ndalimit të afrimit vendit apo personit të caktuar.

Në seancën që po mbahet para gjykatësit të procedurës paraprake, pritet të vendoset lidhur me kërkesën për masën e sigurisë.

Lidhur me rastin ka reaguar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), duke e dënuar rastin.

Aktualisht, Valon Syla është drejtor i gazetës “Metro” dhe analist në televizionin T7. /Betimi për Drejtësi

Back to top button