Ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka thënë se ardhja e 4 mijë e 680 vaksinave të Pfizer është një lajm i mirë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Zemaj ka theksuar se miqësia jonë me popullin austriak është e përjetshme.

“Austria përveç këshillimeve që i kemi pasur na shtriu dorën me vaksina, ashtu si gjatë historisë. Çdo vaksinë është e mirëseardhur. Gjatë vizitës zyrtare në Vjenë, në takim me ministrin federal të Shëndetësisë, Rudolf Anschober, pata theksuar se miqësia e popullit austriak për popullin tonë është vlerë e veçantë”, ka shkruar Zemaj.

Ai me këtë rast ka falënderuar ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Christoph Weidinger dhe ish-ministrin Rudolf Anschober, presidenten e KE-së Ursula von der Leyen dhe komisionarin për Zgjerim Oliver Varhelyi, duke thënë se miku njihet në ditë të vështira.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se pas pranimit të 4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer, këto doza do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit.

Procesi i vaksinimit do të vazhdojë nesër duke filluar nga ora 10:00, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë./21Media