Telefonatat anonime nga serbët, Kamberi: Popullata nuk bie pre e ndikimeve

(Lajm i përditësuar)
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka treguar se gjithçka po shkon në rregull gjatë procesit të votimit në komunën e Bujanocit.
Kamberi ka theksuar se dy ditët e fundit ka telefonata me numra të panjohur në gjuhën serbe për të votuar një listë të tyre, pas të cilave dyshohet të qëndrojnë përfaqësues të organeve shtetërore. Kamberi shpreson që populli mos të bie pre atyre ndikimeve.
“Informacionet që kam deri tani, procesi po shkon në rregull, janë hapur vendvotimet, nuk është hasur asnjë problem dhe pres që gjatë gjithë ditës kështu të shkoj. Sa i përket ndërhyrjeve në proces zgjedhor, Serbia është një vend i cili tashmë është karakterizuar dhe është legjitimuar në një formë edhe me një rezolutë të parlamentit evropian nga një vend në të cilin ndërhyrjet në zgjedhje janë të shpeshta. Kemi pasur dy ditët e fundit ndërhyrje telefonike në formë të këshillave, sugjerimeve, të votojmë për një listë këtu dhe këshillat vijnë në gjuhën serbe nga telefonata me numër të panjohur. Dyshimi jonë është se janë këta përfaqësues të organeve shtetërore që mundohen të ndërhyjnë në procesin zgjedhor, por besoj popullata jonë nuk do të bie pre e atyre ndikimeve… Është me rëndësi për Bujanoc që të gjithë shqiptarët në çdo vendbanim t’i përgjigjen ftesës për zgjedhje të votojnë për kandidatët e vet dhe në një formë ta verifikojmë atë që dy vite më parë -përcaktuam regjistrimin e popullsisë, që shqiptarët janë shumicë në këtë komunë dhe besoj se do të ketë një shumicë të re të ndërtuar prej partive politike shqiptare”, ka thënë Kamberi.
Kandidati për kryetar të Bujanocit nga Alternativa për Ndryshim Arbër Pajaziti ka thënë se qytetarët e Bujanocit kanë nevoja elementare, pasi shumica ballafaqohen me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut.
“Qytetarët e Bujanocit kanë nevoja elementare, sepse shumica prej tyre ballafaqohen me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut edhe me probleme tjera bazike siç është uji i pijshëm, infrastruktura dhe gjëra të tilla. Ka probleme shumë për shqiptarët në Serbi. Andaj do të angazhohemi në të gjithë instancat shtetërore e ndërkombëtare që këtë të drejtë t’ia sigurojmë qytetarëve tanë”, ka thënë Pajaziti.
Kandidatë për kryetar të Bujanocit janë edhe Ragmi Mustafi nga Partia për Veprim Demokratik, Nagip Arifi, kryetari i Partisë Demokratike (PD), njëherësh kryetari aktual i komunës dhe Shqiprim Musliu nga Lëvizja për Progres Demokratik (LPD).
Deri në ora 12:00, 13.5% votuan në Bujanoc e 10.5% në Preshevë

Vazhdon normalisht procesi i votimit në dy komunat e Luginës së Preshevës. Sipas zyrtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Preshevë dhe Bujanoc gjithçka është duke shkuar mirë.
13.5% është dalja e qytetarëve në votime në komunën e Bujanocit deri në ora 12:00, kurse në komunën e Preshevës deri këtë kohë kanë votuar 10.5 për qind e votuesve.
Të dhënat për RTK janë konfirmuar nga kryetarët e Kuvendeve Komunale Zgjedhore në këto komuna.
Alban Mehmeti, kryetar i KKZ në Preshevë ka thënë se gjithçka është duke shkuar mirë dhe nuk ka pasur asnjë incident që mund t’i jepte hije të keqe votimit.
Pasi kanë votuar, kandidatët për kryetar të komunave, kanë kërkuar nga të gjithë qytetarët që të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.
Ardita Sinani bën thirrje që të dilet masivisht e të shfrytëzohet e drejta e votës

Kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, që është e Parisë për Veprim Demokratik, u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve që të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.
“Bashkë me Kotin e Lisin. Sot, është dita kur vendoset për qeverisjen e ardhshme komunale. Vendoset për 4 vitet që i kemi përpara. Sot, është dita kur të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që të dalim masivisht e ta shfrytëzojmë të drejtën e votës. Andaj, ju ftoj edhe njëherë që ta shfrytëzoni këtë të drejtë e të dilni të votoni! Të gjithë qytetarët e Komunës së Preshevës, sot te kutia e votimit do ta kenë mendjen tek përcaktimi i përzgjedhjes së atyre që punojnë me zemër për vendin tonë. Me fat!”, ka shkruar Sinani në “Facebook”.
Arifi: Qytetarët të dalin në zgjedhje dhe ta votojnë më të mirin

Kryetari aktual i Komunës së Bujanocit, kryetari i Partisë Demokratike, Nagip Arifi, është shprehur se deri më tani procesi i zgjedhjeve në Komunën e Bujanocit është duke vajtur mirë dhe shpreson që të shkojë deri në fund në këtë mënyrë.
Arifi fton të gjithë qytetarët që të dalin sa më shumë në votim dhe të votojnë më të mirin.
“Sapo përfundova obligimin qytetar, votova, e shfrytëzova këtë të drejtë që mundësohet me ligj. Deri tash procesi i zgjedhjeve është duke vajtur mirë, shpresoj që deri në fund të shkojë kështu. Unë vetëm ftoj qytetarët që të dalin sa më shumë në votim dhe të votojnë më të mirin, dhe pas procesit, kur të mbyllet, do të festojmë”, ka thënë Arifi.
I pyetur se a do të respektoj marrëveshjen e koalicionit me parti të tjera politike shqiptare, Arifi shton se edhe gjatë qeverisjes së tij në 2020-ën ka ftuar të gjithë partitë politike dhe ka arritur një marrëveshje me ta, por edhe tani koalicioni është i mundshëm.
“ Është një marrëveshje të cilën duhet ta respektojmë dhe shohim rezultatet në fund. Edhe në vitin 2020, subjekti im, atëherë ka dalë subjekti më i votuar nga qytetarët. I kam ftuar të gjithë subjektet politike shqiptare, kemi arritur një marrëveshje, ku kam pasur një qeverisje gjithë shqiptare. Më gëzon fakti që edhe unë kam qenë i gëzuar në atë drejtim, por edhe popullata. Unë shpresoj se prapë do të jetë në atë drejtim, një koalicion i mundshëm”, ka shtuar ai.
Përndryshe, përveç Arifit dhe Mustafit, kandidatë për kryetar të Komunës së Bujanocit janë edhe Shqiprim Musliu i LPD-së, si dhe Arbër Pajaziti, nga Alternativa për Ndryshim.
Voton Mustafi: Të kemi më shumë Kosovë e Shqipëri në Bujanoc

Kandidati për kryetar të Bujanocit, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, Ragmi Mustafi ka ftuar të gjithë shqiptarët në Komunën e Bujanocit që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të votojnë me mendje dhe me zemër.
Pas votimit në qendrën e votimit në Tërnoc, Mustafi është shprehur se Bujanoci dhe shqiptarët meritojnë shumë më mirë.
“Sot në ora 9:00 unë votova në vendvotimin tek çerdhja. Ftoj të gjithë shqiptarët në Komunën e Bujanocit, sot ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, të vendosin dhe të votojnë me mendjen dhe zemër. Është e rëndësishme që në mënyrë masovike të dilet dhe të vendoset për më të mirët. Ne besojmë që Bujanoci meriton më shumë, komuna meriton më mirë, shqiptarët meritojnë shumë më mirë”, është shprehur Mustafi.
I pyetur se për çfarë kanë nevojë më shumë qytetarët e Bujanocit, Mustafi ka thënë se duan të ruajnë dhe të mbrojnë identitetin kombëtar dhe të ketë zhvillim politik, ekonomik dhe social.
“Është ruajtja, mbrojtja e identitetit kombëtarë, në radhë të dytë zhvillimi i gjithmbarshëm politik, ekonomik dhe social dhe ne konsiderojmë që me mendjen dhe zemër do të kemi më shumë Kosovë dhe më shumë Shqipëri edhe në Bujanoc”, ka thënë Mustafi.
Gjithashtu, ai ka thënë se presin një intensifikim të marrëdhënieve edhe me Qeverinë e Shqipërisë, pasi që kanë nevojë për mbështetje financiare për projekte dhe programe të cilat janë të nevojshme për qytetarët e Komunës së Bujanocit.
“Ne presim intensifikim të marrëdhënieve edhe me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, e cila do të duhej t’i bashkohej jo vetëm me mbështetje morale, por edhe me mbështetjen e nevojshme financiare për projekte dhe programe të cilat janë të nevojshme për qytetarët e Komunës së Bujanocit”, ka shtuar ai.
Kandidatë për kryetarë të Komunës së Bujanocit, përveç Mustafit, janë edhe kryetari i PD-së, kryetari aktual i komunës, Nagip Arifi, Shqiprim Musliu i LPD-së, si dhe Arbër Pajaziti, nga Alternativa për Ndryshim.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?