Arifi akuzon LVV-në: Po shfrytëzojnë qeverinë për të shtrirë programin politik në Luginë

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi kritikon pushtetin aktual në Kosovë për ndërhyrje flagrante në Luginë. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje po tenton programin e saj politik ta shtrijë edhe Preshevë. Kritika hedh edhe në raport me dialogun, ndërkohë që paralajmëron se nuk do të rrinë duarkryq ndaj situatës në veri të Kosovës.
Në intervistën për KosovaPress, ai flet edhe për fondin dy milionësh për Luginën, shkarkimin e Ardita Sinanit dhe zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Serbi. I pari i Preshevës konsideron se Shaip Kamberi nuk është përfaqësues i shqiptarëve, por i deleguar i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Me marrjen e pushtetit në Preshevë, Shqiprim Arifi thotë se ka trashëguar borxhe nga qeverisja e Ardita Sinanit, këtë të fundit e akuzon edhe për zhvatje të komunës.
“Prioriteti im ka qenë sivjet sidomos në klasifikimin dhe qartësimin e gjërave zhvatëse që kanë ndodhur në pushtetin e kaluar që kemi pasur. Dhe i dyti prioritet ka qenë që të balancojmë vitin 2022 sepse na kanë ngarkuar me borxhe të tepërta dhe ka qenë vështirë këto borxhe t’i menaxhojmë deri në fund të vitit që të mund të kalojmë në vitin e ri me projekte të reja. Paralelisht, prioriteti i tretë ka qenë që aty ku e kemi lënë para vitit 2021, thjesht të vazhdojmë. Pra, neve Presheva për shkak të manovrimeve politike na ka humb prapë një vit, nuk është hera e parë, kjo na ka ndodhur edhe në vitin 2017 kur më kanë shkarkuar”, thotë Arifi.
Përveç kritikave për pushtetin e kaluar, ai deklaron se Lëvizja Vetëvendosje bërë ndërhyrje flagrante në Preshevë.
“Në vitin 2022 ka qenë edhe një herë më e rëndë për arsyeje të ndërhyrjes flagrante në proceset demokratike në vendin tonë nga Vetëvendosja në Kosovë, që kemi pasur një sfidë me ta, të panevojshme e cila është bazuar më shumë në inate të Albinit (Kurti) dhe Liburnit (Aliu) se sa në objektivitet të çështjes. Sepse, askush askund nuk ka të drejtë të ndërhyjë në proceset demokratike. Ashtu siç i ka ardhur inati Albinit kur e kanë shkarkuar atëherë, kur Grenelli ka ndërhyrë te ai që t’i bëjë ato punë, ashtu edhe neve normalisht e ka bërë të njëjtën. Por këtu i ka zatet sharra ngushtë”, shprehet i pari i Preshevës.
Për më tepër, i pari i Preshevës shprehet se tendenca e Vetëvendosjes është që programin e tyre politik ta shtrijnë edhe në Luginë.
“Ata po përdorin qeverinë e vet dhe po përdorin institucionin e qeverisë dhe të gjitha shërbimet e tjera që të mundin programin e tyre politik të Vetëvendosjes që të implementojë në vend por edhe në Luginë. Të njëjtën është munduar ta bëjë edhe në Shqipëri, por edhe në Luginë. Këtu e ka bërë edhe një herë më të rëndë situatën sepse nuk u dashtë në Luginë sepse ne nuk kemi nevojë të na përçajë institucioni, apo ndonjë parti politike në Kosovë. Ne kemi nevojë për unifikim, për mirësjellje dhe respekt, sepse ne jemi ata të cilët ende në Serbi jetojmë dhe të cilët ende diskriminohemi dhe pasivizohemi. E bën edhe një herë më marre për atë që kanë bërë”, thekson ai.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në prill në Serbi, shqiptarët e Luginës kanë kandiduar me dy lista zgjedhore. Kësaj radhe shqiptarët e kanë vetëm një përfaqësues në Parlament të Serbisë, por Arifi nuk e konsideron të tillë Shaip Kamberin.
“Shqiptarët nuk kanë përfaqësues në Parlamentin e Serbisë, e kemi një të deleguar nga Vuçiqi, i cili e ka emrin Shaip Kamberi. Sepse ai nuk ka arritur të marrë pjesë prapë në listën që ka qenë e unifikuar në vitin 2020, kuptoni ju në Kosovë. Në vitin 2020 kemi arritur pas 30 viteve që të unifikohen shqiptarët për zgjedhjet parlamentare. Shumica e dinë, këtë e them me objektivitet që kam qenë një nga njerëzit që kam kontribuar maksimalisht në këtë drejtim. Por, Shaip Kamberi me megalominë e tij të cilën e ka ndërtuar aty në parlament, në vitin 2022 nuk ka pasur interes që të hyjmë në një listë të përbashkët që e kemi pasur në vitin 2020. Edhe është dënuar me votë, sepse u deshtë pesë-gjashtë herë më u prish një vendvotim vetëm e vetëm që të ia mundësojë Vuçiqi të shkojë Shaip Kamberi në parlament. Me pa qenë i pakënaqur Vuçiqi me politikat e Shaip Kamberit në parlament, ai nuk kishte bërë asgjë në gjyqe”, deklaron ai.
Kryetari i Preshevës shprehet i pakënaqur edhe me fondin dy milionësh të ndarë nga qeveria, meqë siç thotë ai, këto mjete janë zhvatur dhe kthyer në gjepat e Vetëvendosjes.
“Është marre çfarë ka ndodhur, ne gjendemi në janar të këtij viti dhe deri në nëntor të vitit të kaluar nuk janë shpërndarë mjetet ashtu siç u janë premtuar qytetarëve tanë. Por, është përshkruar pak para zgjedhjeve të Këshillit Nacional një marrëveshje mes një partie këtu në vendin tonë dhe mes Vetëvendosjes, se këtë nuk e bon një qeveri normale, këtë e bën një qeveri abnormale. Edhe është për arsyeje abnormale dhe subjektive, sepse i ka pëlqyer Ardita Sinanit, Liburn Aliut, Ragmi Mustafit dhe unë tash krejt qeverinë dhe Kosovën duhet t’ia dedikojë këtyre tre personave. Për këtë arsyeje kam thënë që është abnormale. Pra me këto mjete deri në dhjetor janë përdor për të shkuar e për të shëtitur në Amerikë njerëzit që nuk dinë as anglisht e as nuk kanë përkthyer dhe nuk dinë ta elaborojnë çështjen e Luginës së Preshevës… (39:00) Këto dy milionë euro janë zhvatur dhe janë kthyer në gjepat e Vetëvendosjes nëpërmjet piunëve të tyre në Luginë të Preshevës”, shton kryetari i Preshevës.
Arifi nuk pret marrëveshje të shpejt me Serbinë, meqë sipas tij, Albin Kurti nuk do të nënshkruajë marrëveshjen për Asociacionin. Në raport me dialogun Kosovë-Serbi, ai konsideron se nuk ka strategji kombëtare por vetëm ide të Albin Kurtit.
“Nuk është që ne e kemi një strategji kombëtare shqiptare të Kosovës. Ne e kemi një strategji e cila ndërtohet nga programi politik, nga ideja e Albin Kurtit për këtë dialog. Edhe tash po e shohim që po bie në kundërshtim edhe me vetën. Albin Kurtit iu ka thënë që Asociacioni duhet të implementohet. Ia ka bërë të qartë Amerika, ia ka bërë të qartë BE, ia kanë bërë të qartë kur ka qenë të parën herë në qeveri dhe sidomos tani, vitin që lëmë pas”, shton ai.
Vitin që shkoi, kryeministri Albin Kurti ka emëruar Ardita Sinanin këshilltare politike për tri komunat në Kosovën Lindore. Por, kryetari i Alternativës për Ndryshim thotë se ajo nuk përfaqëson qytetarët e luginës.
“Ardita Sinani nuk e përfaqëson Luginën e Preshevës. Ardita Sinani është një grua e cila ka padi për korrupsion këtu. Ajo nuk ka as votë këtu, ajo është gjithmonë e treta apo e katërta parti që del në zgjedhje, kurrë nuk e përfaqëson ajo me një masë kaq të vogël Luginën e Preshevës. Ajo është makijazh për politikat e Vetëvendosjes”, deklaron Arifi.
Ai ka kritikuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për mos reagim dhe përkrahje për qytetarët e Luginës.
Ndërkaq, ai paralajmëron që nuk do të qëndrojnë duarkryq në raport me situatën në veri të Kosovës.
“Heshtja jonë nuk do të thotë që nuk i dimë të njëjtat politika, nuk do të thotë që heshtja jonë nuk do të thotë që nuk i kuptojmë zhvillimet dhe heshtja jonë nuk do të thotë që do të heshtim përgjithmonë. Për neve 24 orë jo, 24 sekonda është e organizuar të bllokohet me autostrada, me rrugë e me krejt, nuk është problem i madh ky”, përfundon ai.
Kryetari i Preshevës shprehet nuk do të heq dorë nga bashkëngjitja me Kosovën. Teksa flet për prioritetet gjatë këtij viti, përmend ndihmën ndaj bizneseve, investimet kapitale dhe ndërtimin e zonës industriale.

Back to top button