Arma që i ngjan lodrës, reagon “Lego”

Një kompani amerikane armësh po përballet me një reagim të ashpër për prodhimin e pistoletave që duken si lodra për fëmijë të bëra nga Lego.
Culper Precision tha se arma e personalizuar Glock, e quajtur Block19, ishte zhvilluar për të “nxjerrë në pah kënaqësinë e pastër të sporteve të qitjes”.
Por prodhuesi danez Lego i ka shkruar kompanisë duke kërkuar që ajo të ndalojë prodhimin e armës, e cila është e mbuluar me atë që duket si tulla Lego.
Aktivistët e kontrollit të armëve e përshkruan pistoletën si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme, transmeton rtv21.tv.
Shannon Watts, nga grupi i fushatës “Everytown for Gun Safety”, tha se organizata e saj kishte kontaktuar Lego rreth Block19 javën e kaluar dhe se kompania daneze i kishte dërguar një letër “pusho dhe heq dorë”.
Watts gjithashtu kritikoi kompaninë e armëve, e cila është e vendosur në Utah, duke thënë se ekziston rreziku që fëmijët mund të tërhiqen për të përdorur armë zjarri “edhe kur armët nuk duken si lodra”.
Culper Precision tha në një deklaratë se kishte zgjedhur të lëshonte Block19 në një përpjekje për të treguar se armët ishin “për të gjithë” dhe se “mbajtja dhe gjuajtja e armëve të zjarrit me përgjegjësi është një aktivitet vërtet i kënaqshëm”.
Ai shtoi se arma e zjarrit mund të blihej vetëm nga ata që lejohen legalisht të mbajnë një armë.
Presidenti i Culper Precision, Brandon Scott, i tha gazetës Washington Post se pas diskutimeve me një avokat ai vendosi të përmbushë kërkesën nga Lego.
Arma duket se është hequr nga faqja e internetit e prodhuesit.
Është e paligjshme në SHBA të prodhosh një lodër për fëmijë që i ngjan saktësisht një arme të vërtetë, por ligjet nuk i ndalojnë në mënyrë të qartë prodhuesit të bëjnë një armë që i ngjan një lodre.
Aksidentet që përfshijnë fëmijë dhe armë zjarri janë në rritje në SHBA. Më shumë se 140 njerëz u vranë në incidente të tilla të lidhura me armë vitin e kaluar./21Media

Back to top button