Armëpushim i përkohshëm në dy qytete të Ukrainës

Ministria ruse e mbrojtjes thotë se korridoret humanitare do të hapen në orën 10:00 me orën e Moskës të shtunën nga qytetet Mariupol dhe Volnovakha.
“Një “regjim qetësie” do të zbatohet që popullata civile të largohet nga qytetet dhe është rënë dakord me autoritetet ukrainase”, tha ministria e mbrojtjes sipas mediave ruse.
Edhe pala ukrainase e konfirmuan këtë armëpushim.
Kreu i administratës ushtarake të rajonit Donetsk, Pavlo Kirilenko e konfirmoi armëpushimin e përkohshëm dhe thotë se administrata e tij aktualisht po punon për detajet e evakuimit., transmeton rtv21.tv.
Më herët, kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boichenko bëri thirrje për një korridor humanitar mes një bllokade të vazhdueshme dhe atyre që ai i ka quajtur “sulme të pamëshirshme” nga trupat ruse.
Delegacionet ukrainase dhe ruse mbajtën një raund të dytë bisedimesh në Bjellorusi të enjten. Një negociator ukrainas tha më pas se nuk dha rezultatet që i duheshin Ukrainës, por të dyja palët kishin rënë dakord për korridoret për të shpëtuar civilët.
Putin i tha kancelarit gjerman Olaf Scholz të premten se një raund i tretë i bisedimeve ishte planifikuar për këtë fundjavë./21Media

Back to top button