Arratiset një luaneshë në Berlin, qytetarëve i thuhet të qëndrojnë brenda shtëpive

Banorëve në periferi jugperëndimore të Berlinit u është kërkuar të qëndrojnë brenda, pasi “një kafshë e lirshme, e rrezikshme”, që dyshohet të jetë një luaneshë, është arratisur.
Policia e Brandenburgut këshilloi njerëzit që jetojnë në rrethet Kleinmachnow, Stahnsdorf dhe Teltow në kufijtë e kryeqytetit gjerman që të përmbahen nga ecja në pyll dhe të mbajnë kafshë shtëpiake ose kafshë të fermave brenda. Çerdhet u lejuan të hapeshin, por u kërkuan të shmangnin lejimin e fëmijëve të luanin jashtë.
Autoritetet po përdorin helikopterë, drone dhe kamera termike për të gjurmuar macen e madhe, për të cilën policia besonte se ishte duke pushuar në një zonë të pyllëzuar. Një veteriner dhe dy gjuetarë të armatosur ishin në vend dhe nën urdhra për të trullosur ose qëlluar për vdekje kafshën, shkruan Guardian, përcjell rtv21.tv.
“Rreth mesnatës morëm një njoftim që nuk mund ta besonim. Dy kalimtarë panë një kafshë që ndiqte pas një tjetër. Njëri ishte një derr i egër dhe tjetra dukej si një mace e madhe, një luaneshë. Dy burrat regjistruan një video në telefonat e tyre dhe madje oficerë policie me përvojë u desh të konfirmonin se ndoshta kemi të bëjmë me një luaneshë”, tha zëdhënësi i policisë së Brandenburgut, Daniel Kiep.
Policia tha në një konferencë shtypi në mesditë se dy oficerë e kishin parë kafshën në dy raste të ndara gjatë natës, por që atëherë nuk kishte asnjë pamje tjetër. /21Media