Arratiset presidenti i Sri Lankës
Presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa është arratisur nga vendi, ka konfirmuar BBC, pas protestave masive për krizën ekonomike të ishullit.
Presidenti kishte qenë i fshehur pasi turmat hynë në pallatin e tij të shtunën, transmeton rtv21.tv.
Vëllai i tij, ish-ministri i Financave, Basil Rajapaksa, gjithashtu është larguar nga vendi i goditur nga kriza, thanë burimet për BBC.
Protestuesit kishin kërkuar që presidenti dhe kryeministri i tij të largoheshin ose të përballeshin me demonstrata shumë më të mëdha.
Presidenti më herët u zotua të japë dorëheqjen të mërkurën mes protestave masive për krizën ekonomike të përkeqësuar të ishullit.
Vëllai më i vogël i Presidentit Gotabaya Rajapaksa u pengua të largohej nga vendi 24 orë më parë, por tani thuhet se po shkonte për në SHBA.
Banorët e Sri Lankës fajësojnë administratën e Presidentit Rajapaksa për krizën e tyre më të keqe ekonomike në dekada. Për muaj të tërë ata kanë luftuar me ndërprerjet e përditshme të energjisë dhe mungesat e gjërave bazë si karburantet, ushqimet dhe ilaçet./21Media