Arrest shtëpiak për 14 policët e arrestuar dje në Vërmicë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K, B.H, B.P, B.S, D.Z, F.H, I.I, I.S, N.S, R.K, S.K, S.P, SH.A dhe Z.P, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në vazhdimësi “Keqpërdorimi i pozitës” apo autoritetit zyrtar në bashkim me veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K, B.H, B.P, B.S, D.Z, F.H, I.I, I.S, N.S, R.K, S.K, S.P, SH.A dhe Z.P e ka refuzuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç.
“Të pandehurve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në bazë të nenit 183 lidhur me nenin 187 par.1 nën paragrafi 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK. Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Dje në pikën kufitare në Vërmicë janë arrestuar 26 zyrtarë policorë, prej tyre dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë. Arrestimi ndodhi gjatë operacionit të koduar me emrin “Pika 2” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit në Prizren, respektivisht në pikë kalimin kufitar në Vërmicë./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?