Arrestimi i Dardan Molliqajt dhe të tjerëve, Policia jep detaje

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate dhe 12 personave të tjerë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Policia ka bërë të ditur se Molliqaj dhe të tjerët janë arrestuar për pengim të personave zyrtar në kryerje të detyrës.
“Sot rreth orës 15:00, në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, saktësisht në objektin e ZRRE-së, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 persona.
Megjithëse policia vazhdimisht u ka bërë thirrje që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, të njëjtit nuk janë bindur. Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, konform rekomandimit të prokurorit të shtetit për cilësimin e veprës për të cilën dyshohen, personat e arrestuar do të procedohen më tej./21Media

Back to top button