Arrestohen disa persona nga aksioni i Antidrogës, sekuestrohet armë dhe drogë

Policia e Kosovës ka realizuar disa operacione gjatë 24 orëve të fundit me qëllim të parandalimit dhe luftimin e abuzimit me substanca narkotike.
Në këtë kontekst, më 25 janar të këtij viti, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Gjilan, pas pranimit të informacioneve se disa persona të dyshuar kanë në posedim sasi të substancës narkotike të llojit “marihuanë”, kanë ndërmarrë veprime taktike-operacionale për kapjen e personave të dyshuar të cilët dyshohej se bënin të mundur shpërndarjen dhe shitjen e narkotikëve në disa lagje të Komunës së Gjilanit.
“Pas lokalizimit të vendndodhjes së personave të dyshuar, janë realizuar veprime të shpejta operacionale dhe njësitë policore kanë arrestuar tre personat e dyshuar meshkuj/kosovar. Si prova materiale nga të dyshuarit gjatë operacionit të kontrollit është konfiskuar sasi e substancës narkotike ( 373.1 gr dhe 822.6 gr) dhe një peshore digjitale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu, në mbrëmjen e djeshme, më 25 janar, në rajonin e Prishtinës hetuesit e antidrogës gjatë një operacioni kanë arrestuar dy persona të dyshuar të tjerë për posedim droge dhe kanë kryer bastisje në lokacionet e tyre.
Dëshmitë relevante janë sekuestruar nga policia për procedura të mëtejme ligjore.
Antidroga ka kryer edhe një operacion tjetër i cili është realizuar sot më 26 janar në rajonin e Pejës, ku me urdhër të organeve të drejtësisë, në mbështetje të Njësive për reagim të shpejtë – NJRSH, Pejë, është zbatuar urdhër kontroll në lokacionin e dy personave të dyshuar dhe gjatë operacionit të bastisjes-kontrollit të shtëpisë, tek njëri i dyshuar janë gjetur: Një revole, një grinder (mulli për bluarje të marihuanës) dhe substancë e dyshuar narkotike e llojit “Marihuanë” në peshë prej 119.4 gram e cila ishte e ndarë në vende të ndryshme.
“Në vazhdën e bastisjes-kontrollit, në dhomën e të dyshuarës tjetër në një kasafortë metali janë gjetur dhe sekuestruar 5.8 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet policore janë ndërmarr në bashkëpunim me prokurorinë kompetente për procedura të mëtejme ligjore./21Media

Back to top button