Arrestohen dy vëllezër për mashtrim

Ata nëpërmjet mashtrimit kanë marrë një shumë prej 15 milionë lekëve

Dy vëllezërit, J. Zh, 38 vjeç dhe A. Zh, 33 vjeç janë vënë në pranga nga policia e Gjirokastrës pasi ishin shpallur në kërkim për mashtrim.

Sipas policisë, ndalimi i këtyre shtetasve është bërë pasi Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, ka lëshuar urdhrat e ekzekutimit të datës 04.07.2017 për ekzekutimin e vendimeve penale nr. 179 dhe 180 të datës 02.07.2017, të Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, ku është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg” për kryerjen e veprës penale “ Mashtrim” të parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.

Masa e sigurimit për këta shtetas është caktuar pasi dyshohen se në bashkëpunim me persona të tjerë nga viti 2009 e në vijim, i kanë marrë nëpërmjet mashtrimit një shumë prej 15 milionë lekë, shtetasit E.K, banues në Gjirokastër.

Policia bën të ditur se shtetasin E.K, në datë 19.05.2014, persona të paidentifikuar kanë tentuar ta marrin peng, ndërsa babai i shtetasit të mësipërm, shtetasi H.K, në datë 15.02.2012 është plagosur me armë zjarri nga persona të paidentifikuar.

Back to top button