Arrestohen edhe dy persona për zjarrvënie

Janë arrestuar dy persona të dyshuar për zjarrvënie në rajonin e Prizrenit. Rastet thuhet se janë shkaktuar më 9 gusht në orën 14:20, ndërsa Policia pas veprimeve operativo-taktike, sot më 13 gusht ka arritur të identifikojë të dyshuarin M.S. 21-vjeçar, që thuhet se ka shkaktuar zjarret në rrugën e “Flamurit” në Prizren, dhe K.H. 57-vjeç, në fushat e Mamushës, të fshatit Neprebisht, komuna e Suharekës.
Policia përmes një komunikate për media ka njoftuar, se ndaj 21-vjeçarit është caktuar masa e mbajtjes prej 48 orësh, ndërsa 57-vjeçarit i ka shkuar rasti në procedurë të rregullt për shkak të gjendjes shëndetësore.
“Policia e Kosovës, ju bën apel të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdes, që në asnjë rast mos të ndezin zjarre dhe të jenë të kujdesshëm për mënyrën se si do të sillen ndaj ambientit me rrezik për përhapje të zjarreve. Në të kundërtën, Policia e Kosovës do të jetë e pa kompromis ndaj zjarrvënieve të qëllimshme, apo nga neglizhenca”, thuhet në njoftimin policor.
Edhe një 51 vjeçar nga Vushtrria është arrestuar dje, nën dyshimin se ka ndezur një zjarr në pronën e tij, e zjarri më pas u përhap në masë të madhe./21Media

Back to top button