Arrestohen pesë persona të dyshuar për vepra terroriste

Autoritetet në Kosovë njoftuan se kanë arrestuar pesë persona, që dyshohet se kanë kryer vepra terroriste.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 15 maj është kryer një aksion në gjashtë lokacione në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit, ku janë arrestuar pesë të dyshuarit.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, si rezultat i këtij operacioni, pesë personat (L. B., B. V., E. B., A. H. dhe A. S.), dyshohen se kanë kryer veprat penale ‘shtytje në kryerjen e veprës terroriste dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Të dyshuarit e lartcekur janë të njohur për Policinë e Kosovës, si të dyshuar për përfshirjen e tyre të mëparshme në disa vepra tjera penale në rajonin e Pejës.

Në cilësinë e provave dhe dëshmive materiale janë sekuestruar:
• tri (3) revole,
• një armë automatike AK-47,
• një armë rekreative pneumatike,
• pajisje elektronike dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit ndalohen në ndalim policor, në kohëzgjatje prej 48 orëve.

Back to top button