Arrestohet 39-vjeçari, në veturë iu gjetën 11 kg drogë
Një 39-vjeçar nga Peja është arrestuar nga Policia në Morinë pasi tentoi të transportonte lëndë narkotike të ndara në pako.
Policia e Shtetit ka njoftuar se është kontrolluar vetura e tipit “Volkswagen” që e drejtonte i dyshuari dhe në të janë gjetur 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë
“Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet doganore të PKK Morinë, me shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës dhe të Kosovës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinimi”, ka shkruar Policia Shtetërore në “Facebook”.
Tutje, është bërë e ditur se vazhdojnë hetimet e përbashkëta për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme./21Media