Arrestohet edhe një person në rastin “Subvencione 2021”

Është arrestuar edhe një person në Pejë lidhur me mashtrimet me subvencionet. Policia ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar dje rreth orës 14:00 që me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Lidhur me rastin, është identifikuar dhe arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orës të Policisë së Kosovës.
Më 3 dhjetor, me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka arrestuar 31 persona të dyshuar për dallavere me subvencionet, 12 prej tyre zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.
Policia ka zhvilluar aksioni në tetë komuna të vendit, Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë.
Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”./21Media 

Back to top button