Arrestohet i dyshuari në Gjilan që kishte shtënë për ta frikësuar mikun e tij

Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Gjilan më 6 janar kishte pranuar informatë për një rast të dhunës në familje në një fshat të Gjilanit. Në atë rast i dyshuari V.B. (1970) dyshohet se me qëllim frikësimi ndaj viktimës, mikut të tij kishte shtënë në ajër me armë zjarri.
Në njoftim thuhet se patrulla Policore kishte dalë në vendin e ngjarjes por nuk kishte arritur që të takonte të dyshuarin me ç’ rast e kishte vënë në kërkim policor.
Tutje, në njoftimin e policisë bëhet e ditur se sot falë një pune mirë të organizuar operative nga ana e Hetuesve Policor është arritur që të takohet i dyshuari i lartcekur nga i cili edhe është konfiskuar një pushkë gjuetie si dëshmi për Gjykatën.
I dyshuar pas arrestimit është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të ngritët kallëzim penal për veprat penale “Përdorim i armës”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe rasti do të procedohet në Prokurorinë Themelore./21Media