Arrestohet i dyshuari për plagosjen e mbrëmshme në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari për veprën penale “Vrasja në tentativë”, pas incidentit me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e kaluar në qytetin e Pejës.
Sipas Prokurorisë, nga të shtënat një person ka mbetur i plagosur. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari B.K. është ndaluar dhe dërguar në mbajtje.
Menjëherë pas pranimit të informatës për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë Prokurori i Shtetit, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës dhe ekipet e forenzikës, të cilat kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore. Gjatë ekzaminimit janë mbledhur prova materiale që do të shërbejnë në procedurën penale.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do t’i paraqesë Gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe sigurimin e provave për procedurat e mëtejshme penale.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?