Arrestohet ish-zëvendës ministri i Integrimit dhe Shëndetësisë për zjarrvënie

Ish-zëvendës ministri i Integrimit dhe Shëndetësisë, Albert Gajo është arrestuar nga Policia e Kolonjës për zjarrvënie.
59 vjeçari me banim në Tiranë, sipas policisë ishte shkaktari i zjarrit që dogji një pjesë të një vreshti dhe një sipërfaqe tjetër me bimësi në zonën e Sarandoporit.
Pas largimit nga politika aktive, Gajo merrej me vreshtari dhe prodhonte verë e raki, shkruan ora news.
Ditën e djeshme sipas burimeve, ai ka përdorur një mjet të metaltë të mbushur me lëndë shpërthyese, për të trembur zogjtë që të mos i dëmtonin vreshtin, çka është bërë shkak për zjarrin që doli jashtë kontrollit.
Situata për disa orë ishte problematike dhe për të vënë flakët nën kontroll u kërkua ndërhyrja e forcave zjarrfikëse.
Pas denoncimit të banorëve të zonës policia e arrestoi ish zëvendës ministrin për veprën penale ”Shkatërrimi i pronës me zjarr”,
Albert Gajo ka qenë zëvendës ministër i Integrimit në vitet 2005-2009 dhe zëvendës ministër i Shëndetësisë në vitet 2009-2013.
 

Back to top button