Arrestohet kosovari që po kërkohej ndërkombëtarisht

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se në pikëkalimin kufitar në Morinë të dielën është arrestuar një kosovar 27-vjeçar, që po kërkohej ndërkombëtarisht për pjesëmarrje në “organizatë kriminale” dhe “emigracion të paligjshëm”.

27-vjeçari L.A. nga Istogu po kërkohej nga autoritetet e Italisë.

“Në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe autoriteteve italiane, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht: L. A., 27 vjeç, banues në Istog, Kosovë. Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në dalje të vendit, rezultoi se 27-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Triestes, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Organizatë kriminale’ dhe ‘Emigracioni i paligjshëm’, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Italisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Itali, vijon procedurat për ekstradimin e 27-vjeçarit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Back to top button