Arrestohet mësimdhënësi i dyshuar për abuzim seksual me të miturën

I është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh

Inspektorati Policor i Kosovës sot ka arrestuar mësimdhënësin e dyshuar (S.XH) për abuzim seksual me të miturën në komunën e Drenasit.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e IPK-së, në kuadër të këtyre veprimeve hetimore, sot është ftuar për intervistë edhe një i dyshuar tjetër për këtë rast ( me inicialet Sh. Xh – i cili nuk është zyrtar policor). Pas intervistimit të këtij të dyshuari, të njëjtit më vendim të prokurorit i është caktuar masën e ndalimit për 48 orë.

“Arrestimi i të njëjtit nga hetuesit e IPK-së është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin (e paraparë në nenin 239 të Kodit Penal). Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë edhe lidhur me dyshimet për përfshirjen e të dyshuarve të tjerë në këtë rast.”, bëhet e ditur në komunikatën e IPK-së.

Ndërsa, një ditë më parë, IPK-ja ka arrestuar edhe policin e dyshuar për abuzim seksual me të miturën – punonjës në stacionin policor në Drenas (me gradën e rreshterit). IPK bën të ditur se hetimet nga IPK-ja do të vazhdojnë edhe lidhur me dyshimet për përfshirjen e të dyshuarve të tjerë në këtë rast.

Ndërkohë që sot me fillim nga ora 14:00 ka filluar seanca dëgjimore, ku do të caktohet masa e paraburgimit për policin e dyshuar.

Ditën e martë në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë./21Media

Back to top button