Arrestohet një 22-vjeçar serb i Kosovës, i konfiskohet një pistoletë

Policia e Kosovës ka njoftuar se të enjten në mbrëmje në Gjilan ka arrestuar një 22-vjeçar serb të Kosovës, pasi gjatë një kontrolli në veturën e tij kanë gjetur një pistoletë dhe një karikator.

“Njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë rajonale të Policisë Gjilan me datën 02.11.2023 rreth orës 23:45 gjatë kontrollit rutinor kanë ndalur një automjet me targa vendore me vozitës N.C. (viti i lindjes 2002, mashkull kosovar serb). Gjatë kontrollit të automjetit nga ana e zyrtarëve policor është gjetur dhe sekuestruar një (1) armë pistoletë e kalibrit 9 mm. dhe një (1) karikator të cilat do të përdoren si dëshmi për gjykatën”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor në Ranillug ku edhe është intervistuar në bazë të procedurave ligjore.

“Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndaj të dyshuarit do të ngritët kallëzim penal për veprën penale ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe rasti do të procedohet në prokurori”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Back to top button