Arrestohet një 54 vjeçar për ngacmim e shqetësim

 

Policia ka arrestuar një person të dyshuar për ngacmim dhe shqetësim.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Policia e rajonit të Prishtinës në vazhdën e masave dhe veprimeve policore që po ndërmerr me qëllim parandalimin e rasteve kriminale si dhe kapjen e personave të dyshuar si autor të veprave të inkriminuara, mbrëmë rreth orës 20:00 ka kryer arrestimin e një të dyshuari, Sh. K, 54 vjeçar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë deri tek arrestimi i të dyshuarit ka ardhur si rezultat i një pune hetimore.

“Nga denoncimi i bërë në polici janë ngritur dyshimet se i dyshuari më datë 31.01.2021 rreth orës 09:00 ka ngacmuar ankuesin duke e përcjellë të njëjtin dhe duke i shkaktuar shqetësim me veprimet e tij. Ndërkohë që janë analizuar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar ngjarjen, policia ka krijuar versionin e hetimit duke identifikuar, lokalizuar vendndodhjen si dhe arrestuar të dyshuarin”, ka thënë Borovci.

Pas arrestimit me rekomandimin e prokurorit të shtetit të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për t’u proceduar më tej pas kompletimit të veprimeve të nevojshme./21Media

Back to top button