Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte

Policia e Kosovës ka arrestuar më 15 dhjetor një person nga komuniteti serb, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, është thënë në një komunikatë për media të këtij institucioni.
Arrestimi i tij është thënë të jetë bërë bazuar në deklaratat e dëshmitarëve dhe informacioneve në rrugë operative.
Me vendim të prokurorit, i ndaluari është dërguar në mbajtje.
“Bazuar në shkresat e lëndës, deklaratave të dëshmitarëve, informacioneve në rrugët operative, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar serb nën dyshimin për përfshirje në rastin në fjalë. I njëjti me vendim të prokurorit special është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës nuk e ka bërë të ditur identitetin e tij.
Ndërkohë, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se i arrestuari është ish-polici serb, Sllogjan Trajkoviq.
“Si po shfaqen papritmas provat kundër serbëve, sapo u larguan nga institucionet, e që nuk ekzistonin derisa ishin pjesë e institucioneve të Kosovës”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./21Media

Back to top button