Arrestohet një zyrtar i ATK-së për kontrabandë mallrash në veri

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një zyrtar të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) pasi gjatë kontrollit të veturës në bagazhin e saj janë gjetur një sasi e barnave të ndryshme me banderola të Serbisë, për të cilat nuk kishte dokumentacion.

Rasti ka ndodhur rreth orës 09:30 në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, tek ura e Bistricës, ku në një pikë kontroll policia ka ndalur veturën me targa zyrtare, pronë e Administratës Tatimore të Kosovës, të cilën e drejtonte L.P., zyrtar i ATK-së, dhe së bashku me të ishte edhe pasagjeri T.J., po ashtu zyrtar i ATK-së.

Gjatë kontrollit, në bagazhin e veturës janë gjetur barna të ndryshme me banderola të Serbisë, për të cilat nuk posedonin dokumentacione.

Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi, se L.P. ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe kontrabandë të mallrave.

I dyshuari L.P. pas intervistës në prezencë të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë, ndërsa T.J., pas intervistës, me urdhër të prokurorit është liruar.

Back to top button