Arrestohet sepse blente vota

Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin P. M., 55 vjeç, banues në Korçë

Një koordinator i një subjekti politik me inicialet P.M, është arrestuar në Korçë, pasi që i njëjti dje është kapur duke shpërndarë shuma lekësh me qëllim blerjen e votës, deri në 20.000 lekë për një subjekt të caktuar politik.

Specialistët e Sektorit kundër Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit P. M., 55 vjeç, banues në Korçë, me detyrë specialist pranë Drejtorisë së Peshkimit Korçë, koordinator i një subjekti politik.

“Arrestimi i tij u bë pasi më datë 25.06.2017 ky shtetas, është kapur duke shpërndarë shuma lekësh me qëllim blerjen e votës, deri në 20000 lekë për një subjekt të caktuar politik. Gjithashtu po nga këto struktura filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit R.D, 61 vjeç, banues në Korçë (me detyrë koordinator i një subjekti politik. Procedimi ndaj tij filloi pasi, më datë 25.06.2017, këtij shtetasi në lagjen nr 6 në Korçë, në automjetin e tij, i janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 17000 lekësh të cilat dyshohen se do përdoreshin për pagesat e zgjedhësve dhe komisionerëve të këtij subjekti”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë lidhur me veprën penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Back to top button