Arrijnë në Kosovë mbi 503 mijë vaksina antiCOVID-19

Kosova sot është furnizuar me 503 mijë e 100 doza të vaksinave antiCOVID-19. Lajmin e ka bërë të ditur programi i UNICEF-it përmes një postimi në ”Facebook”.
Vaksinat janë donacion nga Ambasada Amerikane përmes COVAX-it me mbështetje nga UNICEF-i.
Ndërkaq, edhe nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se 53.820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër COVID-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer.
Sipas ministrisë, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë dorëzuar sot 556 920 doza të vaksinës Pfizer.
”Me arritjen e këtyre vaksinave dhe atyre që MSh i ka në stok, procesi i vaksinimit në masë kundër COVID-19 do të fuqizohet edhe më tej, me qëllim të arritjes së objektivit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vaksinimin e 60% të popullatës sipas Planit shtetëror të vaksinimit”, është bërë e ditur në njoftimin e MSh-së.
Ministria e Shëndetësisë iu ka bërë thirrje grup-moshave 12,15, 16 vjeç, grave shtatzëna dhe nënave gjidhënëse që të vaksinohen, sepse nuk ka dëshmi shkencore që vaksinimi kundër COVID-19 shkakton probleme për shtatzënësinë apo të lidhura me fertilitetin./21Media

Back to top button