Arrin grupi i parë i ndihmave pas tërmetit në Kinë që la të vdekur të paktën 118 njerëz

Autoritetet kineze dërguan grupin e parë të ndihmave pas një tërmeti të fortë të mesnatës që vrau të paktën 118 persona në dy provincat fqinje veriperëndimore të vendit, njoftuan mediat shtetërore.

Tërmeti me magnitudë 6.2 ballë goditi Kinën rreth orës 23:59 sipas orës lokale (1559 GMT) të hënën me epiqendër një vendbanim në qarkun autonom Jishishan në provincën Gansu, rreth 63 milje nga kryeqyteti i provincës Lanzhou.

Tërmeti goditi zonat me popullsi të dendur kur njerëzit ishin duke fjetur. Rreth 105 njerëz vdiqën në Gansu, ndërsa 13 të tjerë u raportuan të vdekur në provincën Qinghai.

Presidenti Xi Jinping u bëri thirrje autoriteteve për përpjekje “të gjithanshme” për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së njerëzve, raporton AA.

Ai u kërkoi autoriteteve lokale që “të trajtojnë personat e lënduar në kohën e duhur për të minimizuar viktimat dhe të monitorojnë nga afër situatën e tërmetit dhe ndryshimet e motit për të parandaluar fatkeqësitë tjera”.

Qeveria qendrore tha se ndau 200 milionë juanë (28.18 milionë dollarë) në fonde për të ndihmuar përpjekjet e ndihmës nga fatkeqësitë në dy provincat e prekura.

Dëshmitarët thanë se shumë shtëpi, rrugë dhe infrastrukturë në rajon u dëmtuan dhe kishte ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit në shumë fshatra.

Temperatura në rajon pritet të bjerë deri në -10 gradë Celsius të martën. Autoritetet në Gansu thanë se tërmeti kishte dëmtuar rreth 4,782 shtëpi, duke shtuar se pasgoditjet janë të mundshme në ditët në vijim.

Back to top button