Arsimtarët dy muaj pa rroga!

Fazliu: Interesat politike po mbajnë peng qytetarët

500 të punësuar në Komunën e Bogovinës, shumica e të cilëve mësimdhënës, janë thuajse dy muaj pa rroga. Pasi ish kryetari Hazbi Idrizi ndërroi jetë, ende nuk është gjetur një zëvendësues i cili do të mund të nënshkruante lëshimin e pagave për punëtorët. Ky proces është bllokuar nga këshilltarët e Këshillit Komunal, të cilët nuk po gjejnë kompromis për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës për pozitën e të parit të komunës. TV21 mëson se sot është paraparë që të mbahet mbledhja ku do të zgjidhej ushtruesi i detyrës, por kjo nuk ndodhi pasi që shumica e këshilltarëve nuk ishin prezent në mbledhje. Sipas informatave, mbledhje e këtij niveli do të zhvillohet nesër.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu thotë se kjo mosmarrëveshje për zgjedhjen e një kandidati është peng i interesave të partive politike që participojnë në këshill më anëtar të tyre.

“Politikbërja është si mekanizëm që duhet të lehtëson jetën e qytetarëve. Për fat të keq tek ne ndodhë që politkbërja në vend që të lehtësoj nga ndonjëherë edhe pengon dhe ngadalëson proceset e zhvillimit normal të jetës së qytetarëve. Kam kontaktuar disa herë me kryetarin e këshillit të komunës dhe kam kërkuar nga ai që të bëjnë gjithçka nga ana e tyre që të gjejnë zgjidhje pasi kompetencat tani më i kanë kaluar këshillit dhe këshilli është ai që duhet të vendosë që të zgjedh njërin nga anëtarët e këshillit për kryetarë të komunës deri në zgjedhjet e ardhshme lokale”, u shpreh Suhejl Fazliu, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Nga ana tjetër Sindikata Rajonale e Arsimit në Tetovë për nesër kanë paralajmëruar se do ta shprehin pakënaqësine e tyre në formë proteste, duke bërë kështu presion që sa më shpejt të zgjidhet ushtruesi i detyrës që do të nënshkruante lëshimin e rrogave për 500 të punësuarit. Sipas tyre, nëse nuk merret parasysh kërkesa të tyre, ata do të radilalizojnë protestat.

“Në qoftë se nuk arrihet zgjedhje konstruktive në interes të punësuarve në shkollat përkatëse Këshilli Regjional do t’i radikalizoj protestat në përputhje me Statutin dhe rregulloren e Sindikatës rajonale të arsimit në veprimet e mëtutjeshme varësisht nga situata”, nga Sindikata rajonale e Arsimit – Tetovë.

Emrat më të përfolur për ulësen e kryetarit të komunës janë Hasan Sejfullai dhe Kurtali Kurtishi. Të dy këto kundërkandiat në mbledhjen që u mbajt javën e kaluar, morën nga 7 vota, ndërsa njëri nga anëtarët ishte i përmbajtur. Edhe pse votimi u përsërit dy herë, rezultati ishte i njëjtë, andaj kryetari I këshillit e shpalli të mbyllur mbledhjen deri në gjetjen e një kompromisi./21Media

Back to top button