​Arthur do të rikthehet te Juventusi

Agjenti italian, Federico Pastorello zbulon se klienti i tij Arthur do të rikthehet te Juventusi nga huazimi te Fiorentina, në fund të sezonit.

Arthur, një ish-mesfushor i Barcelonës dhe Liverpoolit do të kthehet në Juventus në fund të periudhës së tij huazuese te Fiorentina, zbuloi agjenti i mesfushorit Federico Pastorello.

Agjenti italian dha informacione të reja për klientin e tij gjatë eventit “ Transfer Room” në Romë.

Pastorello tha se paga e Arthurit është shumë e lartë për Fiorentinan, kështu që ai do të kthehet në Juventus në korrik. “Atëherë do të shohim se çfarë të bëjmë”, shtoi agjenti italian, siç citohet nga “TMW”.

“Arthur është i lumtur në Firence dhe në Fiorentina, por nuk mendoj se ata do ta aktivizojnë klauzolën e tij. Ndoshta do të ketë bisedime më pas”, tha Pastorello.

Arthur iu bashkua Fiorentinas në një marrëveshje të përkohshme prej 2 milionë euro verën e kaluar. Fiorentina ka një opsion për ta bërë lëvizjen e tij të përhershme për 20 milionë euro. Ish-mesfushori i Liverpoolit fiton 4.5 milionë euro plus shtesa në vit dhe kontrata e tij në “Allianz Stadium” skadon në qershor të vitit 2026.

Ai e zgjati kontratën e tij edhe për një sezon verën e kaluar përpara se të transferohej në “Stadio Franchi” në formë huazimi. 27-vjeçari ka bërë 69 paraqitje në Serie A, duke shënuar vetëm një gol.

Back to top button