Arti bashkëkohor i Kosovës prezantohet në Bullgari
Ekspozita me piktura, fotografi dhe videoinstalacion u organizuan përgjatë një jave në tri hapësira prestigjioze të prezantimit të artit dhe kulturës në Sofje të Bullgarisë.
Me fokus në diplomacinë kulturore, më 2 nëntor, në Mission Gallery u hap ekspozita e artistëve kosovar, pjesëmarrës në Bienalen Nomade Manifesta 14 Prishtina.
Kuratore e ekspozitave dhe pjesës konceptuale është artistja Hana Halilaj, ndërsa me veprat e tyre u prezantuan Yll Xhaferi, Laureta Hajrullahu, Arbnor Karaliti, Mimoza Sahiti, Leart Rama dhe Atdhe Behluli, të gjithë pjesëmarrës në Manifesta 14 Prishtina.
Ky projekt i artit bashkëkohor është përkrahur nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje dhe është realizuar në bashkëorganizim me Institutin Shtetëror të Kulturës të MPJ-së së Bullgarisë dhe Doma Art Foundation, në kuadër të Next Balkan Platform e cila ka për synim përkrahjen e artistëve të ri në Ballkanin Perëndimor.
Ekspozita në Mission Gallery do të mbetet e hapur deri më 30 nëntor./21Media