Artistët e Suharekës që nga 2017-ta pa shtëpi
Rinesa Pirku dhe Erza Xhemajliu*
Që nga shtatori i 2017-tës kur u rrënua Shtëpia e Kulturës ‘‘Ukë Bytyqi’’, artistëve të kësaj komune u mungon skena dhe ndjenja që u jepte teatri.
Ndonëse gurthemelet për një shtëpi të re të kulturës u vunë më 3 nëntor 2017, këto punime nuk përfunduan ende dhe shpresa për një shtëpi për artistët dita ditës po shuhet.
Tenderi per fillimin e punimeve iu dha kompanisë NNSH ‘‘AAB CONSTRUCTON & NNT ABC’’ nga LDK-ja e cila ishte në detyrë sepse kjo u bë në kohë fushate, më 17 tetor 2017 me afat 24 muaj për te kryer punët, por ajo nuk i përfundoi ato dhe me ardhjen në qeverisje Muharremaj 1, kontrata u ndërpre me 29 maj 2019.

Pas një kohe jo të gjatë me 10 korrik të 2019-tës tenderohet n.n.sh ‘‘TOP PROJJEKT’’ me 741.891 euro për fazën e parë të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës e cila premton se kjo fazë do të përfundojë për një afat kohor 90 ditësh, ani pse ajo nuk përfundon Komuna e Suharekës shpërblen të njejtën kompani me një tender të dytë në vlerë prej 69000 euro.
Gjatë një bisede të shkurtër telefonike me përfaqësuesit e kompanisë ‘‘TOP PROJEKT’’, ata thonë se e kanë përfunduar punën për të cilën janë kontraktuar, por ata nuk pranuan një intervistë me më shumë detaje.

Më 2 nëntor 2020, për fazën e II të ndërtimit të shtëpisë së Kulturës, nga Komuna e Suharekës tenderohet ‘‘EUROING’’ SH.P.K edhe pse ishte kompania e dytë me çmimin më të lartë prandaj për këtë reagoi edhe opozita me një postim në Facebook.
‘‘Sot është publikuar vendimi për fituesin e tenderit për fazën e dytë të punës në Shtëpinë e Kulturës, fitues është shpallur ofertuesi i tretë I cili është për 228.000 € më i shtrenjtë se ofertuesi më i lirë.
Me keqpërdorimet e deritashme që e kanë karakterizuar ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës nga shtatori i vitit 2017, përpos dëmeve financiare e shuarjes së aktiviteteve kulturore, me këtë vendim gjasat janë që ky projekt të mos përfundoj para vitit 2022, në rast të ndonjë procedurë ankimore…’’-u shpreh Lëvizja Vetëvendosje në postimin e tyre në facebook.

Postimi i plotë:
Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë në Komunën e Suharekës, Lorika Gashi thotë se kjo punë nuk ka marrur fund për shkak se lënda është në OSHP (Organin Shqyrtues të Prokurorimit) dhe se sapo kjo të zgjidhet Shtëpia e Kulturës nuk ka më shumë se 2-3 muaj punë intensive si në fillim të punimeve.
Sipas drejtoreshës, penalizimi i vetëm edhe për formimin e Teatrit të Qytetit është hapësira.
‘‘Në momentin e pare që do të lëshohet Shtëpia e Kulturës, formohet edhe Teatri’’-tha drejtoresha Lorika Gashi.
Dikur pozitë e tani opozitë, ish asambleist për gjashtë mandate dhe drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike për dy mandate nga radhët e LDK-së, Nexhat Ramadani tha se rrënimi i Shtëpisë së Kulturës ‘‘Ukë Bytyqi’’ është bërë për arsyen e vetme që shtëpia e re e kulturës të ndërtohej në të njejtin vend, gjithmonë duke shpresuar se kjo nuk do të zgjaste shumë.
Nexhat Ramadani flet edhe për formimin e Teatrit të Qytetit, i cila ishte edhe pikë e rendit të ditës në Asamblenë Komunale të Suharekës në maj të 2020-tës e cila u votua me 20 vota pro, 4 abstenime dhe asnjë kundër.
Ai thotë se para se të formohet Teatri ka shumë hapa përpara nëpër të cilët duhet kaluar, por më e rëndësishmja është Shtëpia e Kulturës dhe krijimi i hapësirës së nevojshme për realizimin e aktiviteteve teatrale.
‘‘Nuk do të thotë që unë aperiori kundër kësaj,por unë mendoj që kjo punë duhet të analizohet më mirë sepse nuk është qështje e thjeshtë të bësh një institucion i cili duhet të ketë një reputacion dhe ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës dhe qytetit andaj nuk kemi nevoje të ngutemi por duhet të bëhen analiza dhe atëherë kur do të piqen kushtet të merret vendimi.’’-tha Ramadani duke treguar kështu edhe arsyen se pse ka abstenuar.
Përfundimi i ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës do të hapte dyert për artistët e qytetit të cilët nuk kanë një hapësirë për të realizuar aktivitetet e tyre e që janë të shumta.
Astrit Bytyqi, regjisor, kryetar i OJQ-së ‘‘Teatri i Endrrave’’ deklaroi se nuk janë pyetur kur është rrënuar Shtëpia e Kulturës ‘‘Ukë Bytyqi’’ edhe pse ajo shtëpi kishte shumë kujtime për ta.
Ndonëse ajo shtëpi u rrënua, artistët e këtij qyteti nuk janë ndalur asnjëherë sepse publiku ka qenë përkrahë tyre që nga viti 2002 kur ata kanë filluar të funksionojnë si OJQ.
Astrit Bytyqi tregon se nuk kanë pas përkrahje të duhur nga komuna, as nga ana financiare por as nuk u është dhënë ndonjë hapësirë në shfrytëzim sepse sipas tij komuna as nuk e ka një të tillë.
Për këto probleme me të cilët këta artistë po ballafaqohen, Bytyqi tregon se shpesh edhe kanë protestuar.
‘‘Ne cdo herë bëjmë protesta, duhet të kuptohet në mënyrën e realizimit të shfaqjeve tona dhe cdo herë bëjmë protesta sepse është i vetmi aktori dhe ai që merret me art që mund të protestojë në mënyrën më të mirë të mundshme…’’-tha regjisori Astrit Bytyqi.
Për shkak të mungesës së Shtëpisë së Kulturës ata gjatë kësaj kohe i kanë realizuar shfaqjet në Amfiteatrin e Gjimnazit ‘‘Jeta e Re’’.

Foto e marrë nga faqja e Teatrit të Ëndrrave në Facebook.
Kjo foto më së miri e dëshmon se Suharekasve u mungon teatri.
Qytetarët e Suharekës janë shprehur se mezi presin që të përfundojë ndërtimi dhe rregullimi I Shtëpisë së Kulturës dhe aktivitetet teatrale të realizohen duke mos i penguar moti e as reshjet atmosferike.
*Studente në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”