Kaloni te përmbajtja kryesore

“As 50 poste nuk më joshin”, Beqiri: Jam argat i LDK-së 

(Lajm i përditësuar)

“As 50 poste nuk më joshin”, Beqiri: Jam argat i LDK-së 

Ismet Beqiri nga LDK-ja në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se angazhimi i tij është për interesin e partisë dhe jo për interesa personale. Beqiri ka thënë se LDK-ja rrezikon të humbasë më shumë nëse udhëhiqet nga interesa të caktuara.

“Humbës se humbës jemi. Unë mendoj që ne rrezikojmë shumë më shumë nëse shkojmë vetëm në kënaqjen e interesave të caktuara. Edhe me më dhënë 50 poste në cilëndo qeveri, edhe të ishte PDK-ja apo VV-ja, nuk pranoj diçka të tillë”, tha Beqiri.

Ai ka theksuar se dëshiron të kontribuojë për LDK-në pa kërkuar përfitime personale.

“I bëhem argat LDK-së për me punu më mirë. Nuk është mirë me u josh as Ismet Beqiri që nuk e pranoj kurrë, apo kushdo qoftë, për asnjë post, për asnjë pjesëmarrje me këta që çdo të zezë nuk kanë lënë pa e thënë për Ibrahim Rugovën, për LDK-në, por edhe për miqtë tanë, SHBA-të”, u shpreh Beqiri.


“Sot po i vuajmë pasojat”, Beqiri: Ia kanë shpëlarë trurin njerëzve

Ismet Beqiri nga LDK-ja  në ”Click” të RTV21 ka komentuar deklaratat e Vjosa Osmanit lidhur me profilet e rreme në rrjetet sociale të cilat kanë ”goditur” pjestarë të LDK-së, e cila ka thënë se as tyre qëndron VV-ja.

Sipas tij, këto çasje janë ndërtuar ndër vite dhe sot po shihen pasojat e tyre. Beqiri ka deklaruar se i vjen mirë që kjo çështje është ngritur, pasi sipas tij, ai ka paralajmëruar për një situatë të tillë më herët.

“Mua po më vjen mirë që e ka thënë tash Vjosa. Unë e kam thënë kaherë, këta kanë platforma të veçanta, këtë e kanë mbjellë dhe ky rezultat nuk është tash”, tha Beqiri.

Ai ka theksuar se, sipas tij, mënyra e veprimit politik ka qenë e njëjtë ndër vite, si në opozitë ashtu edhe në pushtet.

“Me vite të tëra, sa kanë qenë në opozitë edhe tash në pushtet, nuk kanë pasur veprime të tilla. Dihet kjo punë, sot po i vuajmë pasojat. Kjo është një platformë, një luftë hibride dhe e bëjnë edhe tash kur janë në pushtet”, u shpreh Beqiri.

Beqiri ka thënë se qytetarët duhet të vlerësojnë punën konkrete të secilit subjekt politik, duke theksuar se ka njerëz të mirë në të gjitha partitë.

“Ka shumë njerëz të mirë në të gjitha subjektet, ia kanë shpëlarë trurin njerëzve. Me punu mirë për vendin e mbështes, edhe nëse nuk jemi në të njëjtën parti, por nuk është me ia hedh poshtë krejt”, deklaroi ai.

Ai shtoi se çdo person që ka abuzuar me vendin duhet të përballet me drejtësinë, pa marrë parasysh pozitën apo përkatësinë politike.

“Për mua, kush ka abuzuar me këtë vend e ka vendin në burg, kushdo qoftë”, tha Ismet Beqiri.


“Nuk është mirë me ia msy te unë”, Beqiri mohon presionin në LDK

Ismet Beqiri nga LDK-ja ka deklaruar në “Click” të RTV21 se ndaj tij nuk ka pasur presion për të nënshkruar kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Nuk është mirë as me ia msy te unë. Vetëm më kanë thirrur për të verifikuar nëse e kam nënshkruar. Nuk është sekret, si Ismet Beqiri nuk ka presion të tillë”, ka thënë Beqiri.


Beqiri i kujton Abdixhikut: Në LDK, kush humb zgjedhjet duhet të lëshojë rrugën

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka deklaruar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duhet ta ketë parasysh rregullin e partisë, sipas së cilës drejtuesit që nuk arrijnë rezultatet e pritura në zgjedhje duhet të marrin përgjegjësi dhe t’ia lëshojnë rrugën dikujt tjetër.

Beqiri u ndal edhe te presidentja Vjosa Osmani, duke kujtuar se ajo dikur ishte kandidate e LDK-së për presidente, por se sot nuk është më pjesë e partisë.

“Vjosa ka qenë kandidate për presidente në listën tonë. Aktualisht, por Vjosa aktualisht nuk është me letra në LDK. Po e them qartë. Zoti kryetar e ka thënë edhe vetë dhe duhet t’ia rikujtojmë se kjo LDK ka krijuar një rregull: kush i humb zgjedhjet ose nuk arrin rezultat të mirë, duhet t’ia lëshojë rrugën tjetrit”, deklaroi Beqiri.


Beqiri: Dashuria për postin të verbon, LDK-ja duhet të jetë mbi gjithçka

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka bërë thirrje që interesi i partisë të vihet mbi interesat personale, duke theksuar se funksionet nuk duhet të jenë motivi kryesor i angazhimit politik.

Tutje Beqiri tha se dashuria për postin mund ta pengojë një politikan të shohë. problemet reale brenda partisë, ndërsa theksoi se përgjegjësia për rezultatet duhet të ndahet nga të gjithë

“Duhet të kemi dashuri për LDK-në dhe jo dashuri ndaj postit, sepse kjo t’i verbon sytë dhe nuk sheh se çfarë po ndodh përreth. Përgjegjësia është zinxhirore”, deklaroi Beqiri.


Beqiri: LDK nuk e meriton të jetë partia e tretë, duhet të rikthehet në vendin e parë

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka vlerësuar se partia duhet të synojë rikthimin në vendin e parë në skenën politike, duke theksuar se pozita e tretë nuk është e denjë për LDK-në.

Beqiri tha se ndryshimi nuk duhet të kufizohet vetëm te emrat në krye të partisë, por duhet të përfshijë edhe qasjen dhe mënyrën e funksionimit.

“LDK nuk e meriton të jetë partia e tretë. Ne nuk duhet të luftojmë për të qenë në vendin e dytë, por për të qenë në vendin e parë. Kjo nuk arrihet vetëm me ndërrimin e kryetarëve, por edhe me ndryshimin e qasjes. LDK është një familje e madhe. Nuk duhet të harrohen ata që kanë dhënë kontribut për LDK-në dhe duhet t’u jepet hapësirë”, deklaroi Beqiri.


Beqiri: LDK-ja është mbi të gjithë, nuk bëhet nami nëse nuk je në detyrë

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka bërë thirrje që brenda partisë të mbizotërojë interesi i LDK-së dhe jo ai individual, duke theksuar se mungesa në një funksion nuk duhet të perceptohet si fundi i angazhimit politik.

Beqiri tha se anëtarët e partisë duhet të mësohen të mos e shohin si tragjedi largimin nga një post, pasi sipas tij, prioritet duhet të mbetet gjithmonë LDK-ja.

“Ne duhet të mësohemi të mos e marrim tragjike faktin se nuk je në detyrë. Nuk bëhet nami nëse nuk je në detyrë. Për ne me rëndësi është LDK-ja. Dhe nëse duhet, edhe çdo gjashtë muaj ta ndërrojmë kryetarin për të sjellë rezultate”, deklaroi Beqiri.


Beqiri: Kur punët nuk shkojnë mirë, përgjegjësinë e merr i zoti i shtëpisë

Ismet Beqiri nga LDK-ja i ftuar në “Click” në RTV21 ka deklaruar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë është thirrur si pasojë e rezultateve të dobëta zgjedhore, duke theksuar se bëhet fjalë për një proces normal të analizës dhe marrjes së përgjegjësisë.

Sipas Beqirit, ndonëse kuvendi është cilësuar si i jashtëzakonshëm, ai pritet të zhvillohet i qetë, ku do të diskutohet për arsyet që çuan në rezultatin zgjedhor dhe për hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen.

“Kuvendi i LDK-së është thirrur për shkak të rezultateve të dobëta. Ky kuvend e ka emrin i jashtëzakonshëm, por do të jetë një kuvend i qetë, ku do të shpalosen kërkesat dhe do të flitet për atë se çfarë ka ndodhur me rezultatet. Nuk duhet të merakoset askush, sepse LDK-ja do të fitojë përsëri. Kushdo që i fryn zjarrit se aty do të bëhet kiameti apo se do të largohet dikush, e ka gabim. Kur punët nuk shkojnë mirë në një shtëpi, përgjegjësinë e merr i zoti i shtëpisë”, deklaroi Beqiri.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button