Asgjësohen 300 kilogramë mish të prishur

Komuna e Skenderajt ka asgjësuar dhe groposur 300 kilogramë mish të prishur dhe pa dokumentin e deklarimit.
Ishte Policia e Kosovës ajo që ka identifikuar automjetin që po transportonte mishin, mbrëmjen e së dielës.
“Në këtë rast, është ftuar Drejtoria e Inspekcionit të Komunës së Skenderajt dhe Prokuroria, që kanë ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personit
të kapur në flagrancë. Sasia e mishit është asgjësuar dhe groposur sipas procedurave të kërkuara, nga Kompania ‘Uniteti'”, thuhet në njoftim.
Pas këtij rasti, ka reaguar kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili ka thënë se shëndeti publik dhe jeta e qytetarit janë të shenjta.
“Dhe derisa janë të tilla, do të godasim me forcën e ligjit kudo që ka veprime të paligjshme në tregti, veçmas në rastet kur haset në shitje të gjerave ushqimore me afat të skaduar. Falë koordinimit dhe bashkëpunimit mes Komunës së Skenderajt, Policisë dhe Prokurorisë, janë identifikuar, asgjësuar dhe groposur rreth 300 kg mish”, është shprehur Nura, duke i ftuar të gjithë qytetarët të lajmërojnë Inspektoratin dhe organet tjera relevante për çdo parregullsi apo shkelje ligjore./21Media

Back to top button