ASHNA nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me BULATSA

Marrëveshja përfshinë pesë pika të rëndësishme

Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini, ka pritur në takim një delegacion të Autoritetit të Shërbimeve të Trafikut Ajror të Bullgarisë (BULATSA), në krye me Drejtorin Gjeneral të BULATSA-s Georgi Peev, me ç’ rast edhe nënshkruan “Marrëveshjen për Krijimin e Bashkëpunimit Strategjik”, ndërmjet ASHNA-s dhe BULATSA-s.

Pjesë e delegacionit të BULATSA-s ishin edhe Ivan Diaksov – zv. Drejtor i Operimeve, Veselin Stoyanov – Drejtor i Programeve, Projekteve dhe Strategjisë Evropiane dhe Vitan Todorov – Drejtor i Financave.

Sipas Nuredinit, me anë të kësaj marrëveshjeje arrihet mirëkuptimi i përbashkët i të dyja autoriteteve, për zbatimin e kërkesave ndërkombëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ONAC), Bashkimit Evropian dhe EUROCONTROL, si dhe kërkesave tjera që janë të rëndësishme për fushën e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Nga ana tjetër Peev, falënderoi për mikpritjen e ofruar nga ana e menaxhmentit të ASHNA-s dhe theksoi gatishmërinë e tij për rritjen e bashkëpunimit të mëtejmë në të ardhmen.

Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet ASHNA-s dhe BULATSA-s, përfshinë pesë pika të rëndësishme si:

  • Projektet e përbashkëta që kanë të bëjnë me shërbimet e navigacionit ajror, menaxhimit të trafikut ajror, që vlerësohen të nevojshme nga të dyja palët për ngritjen e aftësive të tyre;
  • Bashkëpunimi në fushën e trajnimeve të personelit aeronautik, përfshirë Kontrollorët e Trafikut Ajror dhe Inxhinierët e Shërbimeve Aeronautike;
  • Aspektet financiare lidhur me ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror dhe menaxhimit të trafikut ajror;
  • Aktivitetet teknike lidhur me ofrimin e shërbimeve të komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit;
  • Shkëmbim të informatave dhe ndarje të përvojës, në lidhje me pajisjet dhe teknologjitë e përdorura.

Kësaj marrëveshje, i ka paraprirë vizita e delegacionit të ASHNA-s, e zhvilluar me datën 16.02.2017, në BULATSA të Bullgarisë./21Media

Back to top button