Ripaketonin mallra me afat të skaduar, arrestohen dy persona

Sekuestrohen 1 mijë e 120 euro që dyshohet se janë të falsifikuara

Një 34 vjeçar me inicialet L. H. dhe një 33 vjeçar me inicialet F. H, janë arrestuar pasi në fabrikat e tyre, në fshatin Dumnicë të Podujevës dhe Vragoli të Fushë-Kosovës, kishin pajisjet me të cilat bënin ripaketimin e mallrave të cilave u kishte skaduar afati i përdorimit dhe ato sërish i futnin në treg për shitje.

Sipas policisë, duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, në rajonin e Prishtinës, në tri lokacione, ka ndërmarrë operacion policor, me ç ‘rast janë arrestuar dy persona të dyshuar, si dhe janë kontrolluar shtëpitë dhe lokalet ku është zhvilluar kjo veprimtari e kundërligjshme.

“Në këtë operacion kishim asistencën edhe nga Doganat e Kosovës, ATK. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, inspektorët e MTI-së, dhe Njësitë e Specializuara të Policisë. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar të dyshuarit L. H.  dhe F. H.  Si prova materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar 1120 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, mallra të ndryshme ushqimore, të cilat ishin me afat të skaduar (i njëjti mall është asgjësuar nga AUV, makinat me të cilat kryhej ripaketimi i mallrave të skaduara”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Personat e dyshuar, në bazë të urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë dërguar në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button