ASK-ja e gatshme për regjistrimin e popullsisë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) është e gatshme për regjistrimin e popullsisë, që do të fillojë më 5 prill.

Kështu tha kryeshefi i ASK-së, Avni Kastrati, në konferencën për medie të premten, me rastin e hapjes së fushatës për komunikim dhe sensibilizim për regjistrimin e popullsisë.

Ai tha se regjistrimi i popullsisë do të bëhet në tërë territorin e Kosovës dhe se objekt kryesor i regjistrimit janë popullsia, ekonomitë familjare dhe banesat/shtëpitë.

“ASK-ja është e gatshme me shku në regjistrim të popullsisë. Deri te kjo gjendje sot ku jemi ka pasur shumë sfida. Pak a shumë ata që janë brenda këtu e dinë se procesi ka shumë faza dhe shumë sfida, por nuk do të thotë se ka mbaruar regjistrimi i popullsisë. Është faza kryesore grumbullimi i të dhënave në teren që është planifikuar në datën e caktuar…Pyetësori do të bëhet publik së shpejti për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, do të jetë online për me i pa pyetjet të gjithë qytetarët. Kanë qenë një fushatë intensivë për me finalizuar pyetësorin. Kur themi intensive dhe masive pasi ka përfshirë të gjitha institucionet qendrore, lokale, OJQ, bizneset dhe organizatat ndërkombëtare…Aktivitetet që janë të domosdoshme dhe të nevojshme janë kryer qind për qind. Janë disa aktivitete minore që kanë impakt me rritë kualitetin, por deri tani janë siguruar tabletë, laptop, pajisjet të shumta të tjera në fushën e IT-së, hartat janë digjitalizuar si dhe janë bërë shërbimet e nevojshme për regjistrimin e popullsisë. Njëra ndër to është edhe fushata që e keni gati për të lansuar”, theksoi ai.

Kastrati shtoi se regjistrimi do të bëhet përmes tabletëve, ku mes tjerash do të regjistrohet edhe diaspora, përmes të afërmeve të tyre ose aplikacioneve online.

Sipas tij, ASK-ja përmes këtij regjistrimi do të del edhe me raporte për strukturën e popullsisë, moshën, gjendjen civile dhe punësimin.

“Gjatë regjistrimit janë tri objekte thelbësore që do të listohen. E para është popullsia, secili individë, qytetarë i Republikës së Kosovës, po edhe ata që janë në Kosovë, të cilët jetojnë në Kosovë edhe që nuk e kanë nënshtetësinë do të regjistrohen, përveç ata që janë të specifikuar në ligj, ambasadat, KFOR-i dhe një pjesë e EULEX. Por jo përfaqësues të organizata ndërkombëtare apo shoqërisë civile. Pra, në regjistrim do të listohen individë, popullsia, ekonomitë familjare si janë të organizuara dhe të gjitha banesat, shtëpitë dhe objektet që janë fizike do të regjistrohen. Në formular do të jepen alternativa se për çka shfrytëzohen këto objekte”, tha Kastrati.

Në anën tjetër, përfaqësuesi tjetër i ASK-së, Yll Shala, tha se edhe në aspektin teknik janë gati për regjistrimin e popullsisë, derisa tregoi sa regjistrues dhe mbikëqyrës janë angazhuar për të finalizuar këtë proces.

“Gjithsej i kemi të angazhuar 891 mbikëqyrës, prej tyre janë 677 aktiv dhe një pjesë e kemi planifikuar me qenë rezervë në këtë proces. Sa i përket mbikëqyrëseve e kemi bërë përzgjedhjen e listës preliminare, ndërkaq atë finale do të publikojmë në ditët në vazhdim. Sa i përket regjistrueseve po ashtu kemi një numër prej 3536 regjistruesve të përfshirë në këtë proces. Prej tyre aktiv i kemi 2697, ku janë përfshirë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, theksoi ai.

Regjistrimi i popullsisë është shtyrë disa herë përgjatë viteve të fundit në Kosovë.

Back to top button