ASK mban takimin përmbyllës për Regjistrimin e Popullsisë, merr pjesë edhe Kurti

Sot në ambientet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) u mbajt Takim përmbyllës për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

Në këtë takim festiv ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me kabinetin e tij, si dhe përfaqësues nga UNFPA dhe UNDP.

Agjencia e Statistikave së Kosovës (ASK) falënderon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që me pjesëmarrjen e tyre gjatë këtyre javëve bashkëpunuan afër me regjistruesit për një projekt të tillë madhor dhe të rëndësishëm për Kosovën.

Një falënderim i veçantë dhe meritor për regjistruesit dhe mbikëqyrësit për punën e tyre si persona kontaktues me qytetarët, përfaqësuesit nga komunat e Kosovës, Komisionin Qendror të Regjistrimit, grupin punues për siguri kibernetike, Policinë e Kosovës, institucionet e tjera qeveritare dhe jo qeveritare, partitë politike pa dallim që mbështetën projektin e Regjistrimit të Popullsisë, Qeverinë e Kosovës, Kuvendin e Kosovës dhe Zyrën e Presidencës.

Mbështetje ofruan edhe institucionet ndërkombëtare përfshirë: Eurostat, UNECE, UNFPA, UNDP dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë, të cilat dhanë kontribut të çmuar duke mbështetur projektin e Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024) si nga ana profesionale, teknike dhe financiare.

Regjistrimi i Popullsisë, si një nga projektet më madhore dhe më komplekse të një vendi në kohë paqeje, përkundër sfidave dhe kompleksitetit që ka pasur, u realizua me shumë sukses. Suksesi është arritur falë bashkëpunimit dhe koordinimit që ka pasur ASK-ja me institucionet e tjera (vendore e ndërkombëtare).

Realizimi i Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024) është një dëshmi se institucionet tona mund të arrijnë të realizojnë projekte në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Back to top button