ASK: Mbi 92% e studentëve në programet e edukimit janë vajza

Statistikat e Arsimit të Lartë sipas Fushave të Studimit, 2021/2022

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi, për herë të parë, raportin statistikor mbi Statistikat e Arsimit të Lartë në Kosovë, sipas fushave të studimit për vitin akademik 2021/2022
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim del se numri më i madh i studentëve të regjistruar, për herë të parë, në arsimin e lartë në nivelin Bachelor është shënuar në fushat: Biznes, Administratë dhe Ligj me gjithsej 5 184 studentë, ose shprehur në përqindje, 28.1% e numrit të përgjithshëm të studentëve.
Ndërkaq, sa i përket numrit të përgjithshëm të studentëve, të cilët ndjekin arsimin e lartë në nivelin Bachelor, vërehet diferencë e madhe gjinore në fushën e Arsimit, ku nga 4 352 studentë, 92.6% janë femra dhe 7.4% janë meshkuj.
Kurse, nga numri i përgjithshëm i studentëve të regjistruar për herë të parë në nivelin Master, 1 849 studentë janë regjistruar në fushat: Biznes, Administratë dhe Ligj, ose shprehur në përqindje, 37.2% e numrit të përgjithshëm. Ndërsa, vërehet numër i vogël i studentëve të regjistruar në fushat: Bujqësi, Pylltari, Peshkim dhe Veterinari, me gjithsej 90 studentë, ose 1.8% e numrit të përgjithshëm.
Po ashtu, edhe krahasuar me numrin e përgjithshëm të studentëve, të cilët ndjekin arsimin e lartë në nivelin Master, dominon numri i studentëve, të cilët ndjekin studimet në fushat: Biznes, Administratë dhe Ligj, me gjithsej 5 149 studentë, ose 43.4% e numrit të përgjithshëm./21Media

Back to top button