Asociacioni, i domosdoshëm por vështirë i implementueshëm
BE i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë për të nisur punën për themelimin e një bashkësie të komunave me shumicë serbe. Njohës të rrethanave thonë se themelimi i një Asociacioni me shumicë serbe mund të jetë një hap drejt daljes nga kriza mes Kosovës dhe Serbisë.
Profesori Arben Fetoshi, thotë se pavarësisht sfidave Asociacioni duhet të themelohet, por me një koordimin me partnerët strategjik.
“Është imediate që Republika e Kosovës t’i kthehet sanimit të acarimit të marrëdhënieve me faktorët perëndimor të cilët realisht janë sponzorizues të Kosovës dhe t’i jepet shanc implementimit të marrëveshjes sipas… përshkak se mendoj se zhvillimet e fundit në veri e kane cenu atë që quhet road map, pra një plan i dizajnuar nga Bashkësia Ndërkombetare për konkludimin e Procesit të Brukselit. Në cfarëdo varianti tjetër, jam i bindur se pasojat do të jenë fatale për Kosovën., tha Fetoshi pë RTV21.
Por, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në situatën momentale, është vështirë i zbatueshëm.
“Edhe narativa komplet të kundërta dhe mos përputhja e qëndrimeve të palës kosovare me palën serbe, po ashtu edhe listës serbe që është një parti politike me ndikim shumë të madh në atë pjesë të veriu. Për ta themelu Asociacionin e komunave me shumicë serbe, fillimisht duhet të krijohen kushtet që një asociacion i tillë të themelohet, duhet të hiqen protestuesit nga ajo pjesë e veriut nëse ka dakordim edhe nga pala kosovare dhe zgjedhjet e reja me garancën që komuniteti serb do të jetë i integruar brenda institucioneve komunale dhe kthimi i serbëve në institucionet kosovare duke filluar nga policia dhe institucione e drejtësisë.”, deklaroi Fetahu.
Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyqi, vlerëson se në këto rrethana është e pamundur të përparohet me themelimin e një Asociacioni. Ai theksoi se me zgjedhjet e reja që pritet të mbahen në veri të vendit, situata mund të qetësohet.
“Nuk mendoj se themelimi i Asociacionit i kënaq apetitet e Beogradit në lidhje me veriun. E kemi parë edhe gjatë kësaj krize që qëllimi në veri është që të ketë njëfarë shkëputje të veriut nga pjesa tjetër e Kosovës që të mos kenë pushtet institucionet e Kosovës atje dhe për këtë arsye është duke u kundërshtuar edhe vetë prezenca e kryetarëve shqiptar në objekte komunale, pra vetë krijimi i një Asociacioni nuk mendoj se kënaq apetitet e Beogradit.”
Njohësi i rrethanave, Visar Xani thotë se është e rëndësishme që Kosova të përqëndrohet në bashkëpunimin me aleatët strategjik në mënyrë që të gjendet një zgjedhje përfundimtare për themelimin ose jo të Asociacionit.
“Sa i përket themelimit të Asociacionit është kjo pjesë e marrëveshjeve të kaluara dhe si i tillë fillimisht palët do të duhej të kthehen në tryezën e bisedimeve, të ketë negociata dhe diskutime pa tensione dhe pa kërkesa, për shkak se ne jemi duke parë që kërkesat e serbëve nuk janë duke përfunduar asnjëherë dhe kryesisht Lista Serbe me koordinimin e Vuciqit dhe në funksion të destabilizimit, përmes grupeve kriminale janë duke bërë presion dhe duke rritur kërkesa të paarsyeshme.”
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak gjatë vizitës në Prishtinën kërkuan që palët të angazhohen për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në veri dhe për themelimin e Asociacionit./21Media