ATK këtë vit realizoi të hyra tatimore mbi 720 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës gjatë periudhës janar-dhjetor të këtij viti ka realizuar të hyra tatimore mbi 720 milionë euro.
Në krahasim me planin ka një rritje të të hyrave për 5.1 milionë euro apo 0.7 për qind.
Zv. drejtori ekzekutiv i ATK-së Ilir Murtezaj në konferencën e fundit për këtë vit për media, duke prezantuar rezultatet e aktiviteteve të zhvilluara për periudhën janar-dhjetor 2022, tha se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rritje të të hyrave tatimore për 119 milionë euro apo 19.9 për qind.
Derisa sipas tij kontributet pensionale kanë arrit 236.6 milionë euro dhe së bashku me tatimet, Murtezaj theksoi se kjo shifër arrin 953.3 milionë euro.
“Ajo që ka ndikuar në ngritjen e të hyrave, është rritja e inkasimit të borxheve, fuqizimi i kontrollit të brendshëm, rritja e efikasitetit, digjitalizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, shërbimet profesionale, rritja e transparencës, rritja e bashkëpunimit me institucioneve vendore dhe ndërkombëtare”, tha ai.
Murtezaj ka ftuar të gjithë qytetarët që të raportojnë në ATK për çdo parregullsi për evazion fiskal.

Back to top button