Australia rrit taksën për të gjitha importet ruse dhe bjelloruse

Australia do të aplikojë një tarifë shtesë prej 35% për të gjitha importet nga Rusia dhe Bjellorusia, njoftoi Departamenti i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë në një deklaratë për shtyp të enjten.
“Australia do të lëshojë një njoftim zyrtar duke tërhequr të drejtën për trajtimin tarifor të Kombit më të Favorizuar (MFN) dhe duke aplikuar një tarifë shtesë prej 35 përqind për të gjitha importet nga Rusia dhe Bjellorusia”, thuhet në njoftimin për shtyp, duke shtuar se Australia do t’i bashkohej vendeve tjera “me të njëjtin mendim” duke e bërë këtë, transmeton rtv21.tv.
Duke përsëritur mbështetjen e Australisë për “sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, Australia do të “punojë ngushtë me partnerët për të siguruar që Rusia të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj”, thuhet në njoftim.
Deklarata përkoi me fjalimin virtual të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në parlamentin australian të enjten.
Po ashtu, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden më 11 mars bëri thirrje për pezullimin e marrëdhënieve normale tregtare me Rusinë dhe tha se SHBA do të ndalojë importet e ushqimeve të detit, vodkës dhe diamanteve nga vendi si pjesë e një përpjekjeje për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë. /21Media

Back to top button