Austria ofron mbështetje në themelimin e qendrave të testimit elektronik

Takimi Hamza-Pfandler

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka pritur sot në takim ambasadorin austriak në Prishtinë, Gernot Pfandler me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin në mes të Qeverisë së Austrisë dhe Qeverisë së Kosovës, për  Marrëveshjet të cilat tani më janë ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për pesë komuna të Kosovës, që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të këtyre komunave, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në financimin e themelimit të qendrave të testimit elektronik për arsimin para universitar në Kosovë, ku shteti Austriak ka shprehur gatishmërinë të përkrah Kosovën në këtë fushë.

 Me këtë rast, Ministri Hamza ka theksuar përkushtimin e tij për mbështetjen e këtij sektori, me qëllim të avancimit të arsimit parauniversitar në Kosovë, ku sipas tij përfituesit më të mëdhenj do të jenë të rinjtë e Kosovës, të cilët janë potenciali më i madh në vend. Ai gjithashtu ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të krijojë kushte për të arritur marrëveshje me partnerët strategjikë, siç është Austria për avancimin e arsimit në Kosovë, si një ndër fushat më me prioritetet të Qeverisë.

Ndërsa, ambasadori austriak Gernot Pfandler e ka falënderuar Ministrin Hamza për bashkëpunimin dhe ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të shtetit Austriak për mbështetjen edhe në të ardhmen të institucioneve të Kosovës, veçanërisht gjetjen e mundësive të përkrahjes së projekteve të tilla të cilat ndikojnë  në avancimin e të rinjve, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit./21Media

Back to top button