Autoritetet italiane kapin një superjaht që besohet se ka lidhje me qeverinë ruse

Autoritetet italiane kanë sekuestruar një superjaht që besohet se ka lidhje me qeverinë ruse, sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar nga policia financiare e vendit të premten.
Scheherazade ka qenë nën vëzhgim që nga marsi për lidhje të mundshme me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në njoftim u bë e ditur se hetimet “theksuan praninë e lidhjeve të rëndësishme ekonomike dhe biznesore” midis pronarit të jahtit dhe “elementëve të shquar të qeverisë ruse”.
Pronari i jahtit – emri i të cilit nuk u bë i ditur – gjithashtu ka lidhje me rusë të tjerë të përfshirë në listën e atyre të sanksionuar të BE-së për “veprime që komprometojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”, sipas policisë.
“Në bazë të këtyre elementeve, Komiteti i Sigurisë Financiare i propozoi Këshillit të Bashkimit Evropian përfshirjen e këtij personi në listën e sipërpërmendur”, vijon njoftimi, shkruan CNN.
Ministri i Financave i Italisë, Daniele Franco, ka urdhëruar një dekret për ngrirjen e anijes që mban flamurin e Ishujve Kajman./21Media

Back to top button