Avokati i Popullit takon të paraburgosurit në Speciale, përveç Mustafës

Avokati i Popullit, Naim Qelaj javën e kaluar ka realizuar një vizitë zyrtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Gjatë vizitës tre ditore atje, Qelaj u takua veç e veç me të paraburgosurit.

“Nuk u arrit të zhvillohet takimi vetëm me Salih Mustafa, ndaj të cilit momentalisht i janë ndaluar vizitat dhe takimet ndërsa i lejohen kontaktet vetëm me një listë të ngushtë të personave, bazuar në vendimin e një Paneli Gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara. Qelaj u takua edhe me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, znj. Ekaterina Trandafilova dhe bashkëpunëtorët e saj me ç’ rast u njoftua për procesin gjyqësor, si dhe respektimin e të drejtave të të paraburgosurve në procedurë gjyqësore, të cilat u garantohen me standardet ndërkombëtare për të drejtat themelore të të burgosurve, Kushtetutën dhe ligjet tjera të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, vizita zgjati nga 9 deri 11 nëntor 2021, dhe qëllimi i vizitës ishte njohja me situatën sa i përket procesit të drejtë gjyqësor, respektimi i të drejtave themelore në paraburgim e të cilat u garantohen me standardet ndërkombëtare për të drejtat e të burgosurve, Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës./21Media
Back to top button