“Aroma e Hënës” premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Shfaqja “Aroma e Hënës”- dramë, do të shfaqet premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më datë 16 nëntor, me fillim nga ora 20:00.
Drama “Aroma e Hënës”, me tre akte dhe epilog, pjesa e fundit e trilogjisë “Hëna prej letre” e autorit Mehmet Kraja, është dramë provokative e ditëve tona, filozofike dhe surealiste e cila ngre teza të fuqishme ekzistenciale, social-politike e politiko-mediale.
Autori Kraja iu përballë me pikëpyetje ekzistenciale të së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes (e cila nuk ka ardhur ende por me gjasë do t’i ndryshojë disa gjëra), duke i ballafaquar personazhet në raporte sa sociale aq edhe filozofike.
“Perceptimi i të shkuarës shpresëmadhe luftës dhe pas lufte… kush jemi ne…, ku jemi… a ka ardhur liria…, demokracia në këtë vend çfarë është, dhe në fund, a jemi të lumtur?! Apo, Liria është një shpikje e pamundur! Kjo përçapje për të kuptuar këtë kaos shpirtëror e mendor i zhvillon karakteret drejt një konflikti dramatik të përshkallëzuar dhe duke mos gjetur rrugëdalje ata shkojnë drejtë fatalitetit”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar.
Shfaqja merr pësipër teatrin e angazhuar, teatrin e fjalës (me të gjitha ngjyrimet e saj) dhe jo të spektaklit, të kryej mision dhe jo argëtim por ndërgjegjësim, vetëdije.
Gjithashtu, repriza e kësaj shfaqje jepet më 17 nëntor, me fillim nga ora 20:00./21Media

Back to top button